Sport

Inzaghi para përballjes me Milan-in: Do të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Inter-it


Simone Inzaghi ka nënvizuar rëndësinë e ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Milan-it, duke pretenduar se do të jetë një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit të tij.

Zikaltrit kanë një avantazh prej 2:0, pasi kanë bërë një paraqitje mbresëlënëse kundër skuadrës së Stefano Piolit të mërkurën e kaluar.

Duke folur në konferencën për media para ndeshjes në Milano të hënën pasdite, Inzaghi nuk e mohoi rëndësinë e derbit evropian, por në të njëjtën kohë këmbënguli që skuadra e tij po përgatitet për përballjen në të njëjtën mënyrë që do të bënte çdo ndeshje tjetër.

“Si trajner e trajtoj çdo lojë në të njëjtën mënyrë. Nesër e dimë se është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Inter-it. Nesër e dimë se kemi një avantazh të merituar, por nuk do të na duhet vetëm ta menaxhojmë atë, ne do të duhet të luajmë në mënyrën e Inter-it, duke e ditur se kemi një ekip të fortë përpara”, theksoi Inzaghi.

Inzaghi u pyet gjithashtu nëse ai e kishte parashikuar ndonjëherë të ishte në prag të finales së Ligës së Kampionëve kur zikaltrit u shortuan në të njëjtin grup me Bayern Munich dhe Barcelonën në gusht.

Ai u përgjigj: “Kishte pak zhgënjim kur shorti u hodh në gusht, ne nuk kishim pasur shumë fat, por në të njëjtën kohë ajo që i thashë stafit tim dhe lojtarëve në atë kohë është se edhe Barça dhe Bayerni nuk janë të pakalueshëm”.

“Për ndeshjen e nesërme nuk kam asnjë dyshim, mbështetësit kanë qenë gjithmonë me ne në momentet e këqija dhe të mira”, shtoi tekniku italian.

Një gazetar sugjeroi që Inzaghi-t t’i jepet më shumë respekt për drejtimin e Interi-t në gjysmëfinale të Champions-it, si dhe për arritjen në finalen e Kupës së Italisë.

“Faleminderit”, u përgjigj ai, para se të vazhdonte: “Për fat të mirë unë dhe ekipi im lexojmë dhe dëgjojmë shumë pak, por di gjithçka që shkruhet. Fati im i madh dhe gjithashtu i stafit tim është që dëgjojmë dhe lexojmë pak”, tha Inzaghi.

“Ndonjëherë ne si trajnerë duhet të bëjmë zgjedhje siç bëjmë çdo ditë. Ndonjëherë jeni me fat dhe ndonjëherë jo. Është puna jonë dhe këtë e kërkon. Ne e dimë se jemi 90 minuta larg realizimit të ëndrrës sonë”, shtoi trajneri i Inter-it.

“Falë tyre jemi në finalen e Kupës së Italisë. Ne punuam shumë mirë gjatë pushimit, edhe nëse kishim disa lojtarë jashtë për Kupën e Botës: ne punuam shumë fort në atë fazë”, theksoi tekniku zikaltër.

“Ne e dimë se me kë do të përballemi, por e dimë gjithashtu se jemi në një formë të shkëlqyer. Jemi gati për një ndeshje të kësaj përmasash, e kemi kaluar tashmë me një skuadër shumë të fortë si Benfica, edhe sikur të mos ishte derbi rezultati ishte i shkëlqyer”, tha mes tjerash Inzaghi.

Ndeshja mes Inter-it dhe Milan-it do të zhvillohet të martën e ardhshme me fillim nga ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore