Sport

Inzaghi: Fitorja e mbrëmshme është vetëm fillimi


Interi shënoi një fitore të madhe në mbrëmjen e kaluar, duke e mposhtur Barcelonën me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

Zikaltrit u rikthyen te suksesi pas dy dështimeve radhazi në Serie A, derisa trajneri i tyre, Simone Inzaghi, u shpreh i lumtur pas ndeshjes, duke thënë se skuadra e tij tregoi karakter të fortë.

“Luajtëm me agresivitet, vendosmëri, pasi është e vetmja mënyrë për t’i mundur këta kundërshtarë. Ne e prisnim një kohë të gjatë për këtë, jam i lumtur për tifozët dhe klubin, por ende nuk kemi arritur asgjë”, tha trajneri italian.

Inzaghi tutje tha se suksesi ndaj Barcelonës duhet t’i shërbejë ekipit të tij për fillimin e një epoke tjetër dhe për të marrë rezultate pozitive në Serie A.

“Isha shumë, shumë i zhgënjyer me rezultatin kundër Romës, por jo me paraqitjen. Mbrëmjet si kjo do të na bëjnë mirë, duhet të rikuperojmë energjinë tonë tani dhe kemi terren për t’u rikuperuar në Serie A”, theksoi Inzaghi.

“Mund të jetë fillimi, por ne duhet t’i japim një ndjenjë konsistencës këtij rezultati dhe performancës tani”, shtoi ai.

Inzaghi ka qenë nën kritika dhe kishte zëra se ai mund të shkarkohej nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe këtë mbrëmje.

“Unë vazhdoj punën time, ka momente që ndodhin dhe e mbaj kokën lart, sepse stafi im, lojtarët dhe klubi kanë bërë gjëra të mëdha gjatë 15 muajve të fundit. Pashë një skuadër që është solide dhe lufton së bashku, përndryshe nuk merr një rezultat të tillë”, shtoi trajneri italian.

“Jam i lumtur, por këta djem janë të njëjtët që më dhanë dy trofe vetëm disa muaj më parë dhe ata e dinë më shumë se kushdo që tani kemi terren për të plotësuar”, përfundoi trajneri i Interit.

Kujtojmë që golin e vetëm të fitores ndaj Barcelonës e shënoi Hakan Calhanoglu.

Me këtë fitore tani Inter-i mban pozitën e dytë me gjashtë pikë, tre më pak se Bayern-i në vendin e parë, ndërsa Barcelona ka vetëm një pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore