Sport

Inzaghi: Do ta mposhtim përsëri Benfica-n


Inter-i është duke vuajtur në Serie A, por e njëjta gjë nuk qëndron në Ligën e Kampionëve, pasi që zikaltrit janë një hap larg kualifikimit në gjysmëfinale, duke qenë se ndeshjen e parë e fituan në udhëtim te Benfica.

Në prag të ndeshjes së kthimit, trajneri i Inter-it, Simone Inzaghi, tha se është mësuar tashmë me presionin, megjithatë u shpreh i bindur se Inter-i do t’ia dalë të jetë mes katër ekipeve më të mira të Evropës.

“Kemi luajtur pjesën e parë me Benfica-n dhe na pret një pjesë e dytë mjaft e vështirë. Nuk do të rrimë të presim, për të mbrojtur avantazhin e dy golave, por do të kërkojmë të mbyllim llogaritë sa më shpejt. Situata në kampionat është e vështirë, por unë jam mësuar me presionin dhe jam i bindur që do të nxjerrim më të mirën tonë”, tha trajneri italian.

Inter Milan head coach Simone Inzaghi reacts during the UEFA Champions League quarterfinal first leg match against Benfica, held at Luz Stadium, Lisbon, Portugal, 11 April 2023. ANTONIO PEDRO SANTOS/LUSA

Sulmuesit e Interit janë “simboli” i krizës, pasi nuk shënojnë prej kohësh dhe shpërdorojnë shumë në çdo takim, megjithatë Inzaghi nuk duket aspak i shqetësuar.

“Unë kam qenë vetë sulmues dhe shqetësohesha vetëm kur nuk krijonim raste. Sulmuesit tanë janë të pafat kohët e fundit, por rastet po krijohen dhe herët e vonë, edhe ata do të rikthehen të shënojnë rregullisht”, shtoi Inzaghi.

Kujtojmë që mbi trajnerin e Inter-it është duke u bërë një presion i madh, madje mediat italiane shkruajnë se ai do të shkarkohet në rast se nuk arrin ta fitojë Ligën e Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore