Shqipëria

Investimet e huaja në Shqipëri: Në 6 muaj, mbi 460 milionë euro


Në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja në Shqipëri kapin shifrën e 460 milionë eurove.

Kjo, duke shënuar një rritje të lehtë prej 3 milionë eurosh, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve të huaja në këto 6 muaj dominohen nga sektori i industrisë nxjerrëse, ku vlera e tyre arriti në 95 milionë euro në fund të qershorit.

Edhe kjo e dhënë shënon rritje në krahasim me vitin 2020.

Rritja më e ndjeshme u regjistrua nga investimet e huaja drejt pasurive të paluajtshme, duke e çuar totalin e tyre në 80 milionë euro në gjysmën e parë të vitit.

Ndërsa më shumë flukse investimesh të huaja u tërhoqën në sektorin e sistemit financiar dhe asaj të industrisë përpunuese.

Rezultatet e projekteve energjetike TAP dhe Devoll, nga ana tjetër, kanë bërë që investimet e huaja në këtë sektor të tkurren ndjeshëm me 112 milionë euro më pak se në gjashtë muajt e parë të vitit 2020.

Investimet e huaja

Holanda kryeson listën si investitori më i madh i huaj në vend me 104 milionë euro deri në fund të qershorit.

Pavarësisht faktit se vlera e prurjeve nga ky shtet holandez shënoi një rënie të konsiderueshme këtë periudhë.

Pas saj, investitori i dytë më i madh është Italia me një hyrje totale prej 61 milionë eurosh, e ndjekur nga Turqia dhe Franca respektivisht me 48 dhe 47 milionë euro hyrje nga investimet e huaja direkte nga këto vende.

Ndërkohë, investimet zvicerane kanë parë një tkurrje të fortë, duke rënë në 28 milionë euro, nga 117 milionë euro të arritura në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkak për këtë mund të jenë efektet e përfundimit të gazsjellësit TAP.

Gjatë dy viteve të fundit, ecuria e investimeve nga ky vend ka qenë kryesisht e lidhur me këtë investim madhor.

Viti 2020

Sipas raportit të bilancit të pagesave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2020 investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë qenë 933 milionë euro.

“Kryesisht investimet në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, si Italia dhe Greqia. Këto vende kanë treguar një interes në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet për Albanian Post politologu Shpend Gashi.

Gashi, shton se vitet e fundit, qeveria shqiptare u ka hapur rrugë edhe investimeve të vendeve të lindjes, të cilat janë shoqëruar me rritjen e flukseve të kapitalit në këto vende.

Investimet italiane, thotë ai, janë të përqendruara në rajonin Perëndimor të Shqipërisë, në afërsi të detit Adriatik, ndërsa ato greke më shumë në jug, në sektorë të lehtë të ekonomisë.

Një veçori e investimeve italiane, përmbyll Gashi, është se ato gjenden kudo, si në industri të vogla, ashtu edhe tek ato të rënda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore