Shqipëria

Investimet e huaja janë trefishuar, por është e vështirë të bëhet biznes në Shqipëri, sipas DASH


Sipas raportit të fundit të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për klimën e investimeve në vitin 2022, dekada e fundit ka parë një trefishim të rritjes së investimeve të huaja në vend, por sërish kompanitë e huaja e shohin si të vështirë investimin në vend, për një sërë faktorësh defavorizues.

Borxhi publik mbi 80%, është aspekti i parë që përmendet në përshkrimin e Shqipërisë, duke referuar edhe rritjen e pritshme ekonomike të vitit 2022, e cila vështirë të arrijë projeksionin prej 4.1% në fillim të vitit.

Pjesa më me rëndësi në raport, është ajo e cila i përket investimeve të huaja dhe lajmi i mirë sipas DASH-it, është fakti se në dekadën e fundit, këto investime janë trefishuar.

Kuadri ligjor, për amerikanët, është krejtësisht i përputhshëm me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe inkurajimin e investimeve.

Gjithsesi, thënë kjo, përtej potencialit të madh që Shqipëria ofron, investitorët e huaj e perceptojnë vendin si të vështirë për të bërë biznes.

Kjo, pasi investitorët përmendin një sërë aspektesh negative, si korrupsionin endemik, përfshirë në gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri, siç shkruhet në raport.

Raportimet për korrupsion në prokurime qeveritare, janë të zakonshme sipas konstatimeve të DASH. Po ashtu, negativisht flitet edhe për partneritetin mbi prokurimet publik privat, njohur ndryshe si PPP, të cilat, në bazë të raportit, reduktojnë mundësinë për konkurrencë.

“Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”, vijohet më tej.

Ndërsa, një rast konkret përmendet, kur sipas raportit të DASH-it, në vitin 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane, dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara, të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin.

Teksa, çështja tashmë, është në arbitrazh ndërkombëtar.

Thënë kjo, sfidë mbeten edhe të drejtat e pronësisë në vend.

Ndërsa, digjitalizimi i vendit dhe ofrimi i shërbimeve online, është parë si hap pozitiv për tërheqjen e investitorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore