Lajme

Intervistë për Albanian Post/Lutfi Haziri: Kurtit i doli dialogu prioriteti Nr.1 – ai s’po qeveris, po administron


Lutfi Haziri

“Dialogu i doli prioriteti numër një”, thotë Lutfi Haziri, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kur kujton kohën e fushatës elektorale dhe Albin Kurtin derisa thoshte se dialogu s’është primarë për të, por problem i shtatë a i tetë.

Haziri, në këtë intervistë për Albanian Post, s’gjen një fjalë të mirë për Qeverinë aktuale, ose siç e quan ai, ekip që thjesht administron.

Jo vetëm për vetë Kurtin, nota negative Haziri ka për gjithë kabinetin e tij.

Janë të gjithë në një nivel dhe ky nivel është shumë i dobët, thotë ai.

“Me vetë faktin që nuk kemi progres dhe nuk mund të dallosh dikë prej dikujt, brenda këtyre 13 muajve të qeverisjes mund të them që z. Kurti më shumë ka administruar me qeverinë mbi baza ditore sesa që ka arritur të qeveris me ekipin e tij”, deklaron.

Përkundër kësaj, Haziri s’është i befasuar. Ai, pohon ta ketë ditur se çfarë thoshte Kurti dikur, ishte thjesht “mashtrim”.

“Por, ka shkaktuar pritje të mëdha, të cilat po shkojnë drejt një dëshpërimi të madh politik”.

Ndryshe nga përshkrimet pesimiste për Kurtin, për kryetarin e tij të partisë s’ka fjali kritikuese.

Edhe pse Lumir Abdixhiku dhe në përgjithësi LDK-ja janë kritikuar për pasivitet në bërjen opozitë, Haziri thotë se është thjesht çështje stili politik jo mungese përformance.

“Nëse e duan LDK-në në rrugë me protesta dhe formate jokonvecionale me bë opozitarizëm, ky nuk është vokacion i yni”, konstaton.

 

Kjo është intervista e plotë e Albanian Post me nënkryetarin e LDK-së dhe ish-kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Albanian Post: Kohëve të fundit ka një perceptim se LDK nuk po bën opozite aktive, sidomos ka kritika për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun. A pajtoheni me këtë konstatim dhe nëse po, përse po ndodhë kështu?

Haziri: Në kuadër të gjashtë proceseve politike që LDK i ka hapur tash, duke pasqyruar edhe Konventën e fundit programore të cilën ne e realizuam për dy ditë, ne jemi duke u marrë kryesisht me çështje të brendshme, por opozitarizmi i LDK-së është njëra nga prioritetet, sepse është vendi i vetëm ku ne pasqyrojmë vokacionin tonë politik dhe angazhimin tonë opozitar në Kuvendin e Republikës. Për aq sa kemi fuqi politike dhe kemi dëshmuar konstruktivitet politik, kemi larguar kriza politike, kemi ndikuar pozitivisht në funksionim të institucioneve ku kemi pasur mundësi. Por, natyrisht ne jemi aty për t’i korrigjuar gabimet, problemeve dhe mosrealizimin e premtimeve të qeverisjes. Dikush mund të pres diçka tjetër prej LDK-së, por LDK nuk del prej formatit të saj, nuk del prej vokacionit të saj politik. Ne nuk jemi kopje e asnjë partie politike. Nëse e duan LDK-në në rrugë me protesta dhe formate jokonvecionale me bë opozitarizëm, ky nuk është vokacion i yni. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë çdo lloj politike të keqe.

Albanian Post: Atëherë, si e keni parë qeverisjen e Kurtit për aq kohë sa është në pushtet?

Haziri: Qeverisje e ardhur me zhurmë politike, e cila nuk arriti që premtimet e saja t’i përkthej në realizim, që politikat operacionale të saj t’i bartë në funksion të qeverisjes. Më shumë kemi elemente të administrimit sesa të qeverisjes.

Albanian Post: Nëse mund të konkretizoni, cilat kanë qenë dështimet më të mëdha të kësaj qeverie, por edhe të arriturat, nëse konsideroni se ka pasur të tilla?

Haziri: Mund t’i përmendim problemet serioze me vendimmarrjen për gazsjellësin amerikan dhe kjo dje u pa që të gjitha shtetet e regjionit që hyjnë në këtë program kanë filluar tashmë punimet. Dështimi i dytë është çështja e dialogut, e cila u doli prioritet numër një. Rezistimi një vjeçar që të mos e trajtoj si problem ka shkaktuar një defensivë në dialog për Kosovën. Çështjet e brendshme që lidhen me sundim të ligjit dhe me zhvillim ekonomik po ashtu janë në kuadër të profilit politik të determinuar si ecje me një hap para e dy mbrapa.

Albanian Post: Një pyetje për një cështje specifike – së fundmi kemi parë një ambasador (Martin Berishaj) që është përfshirë në një skandal në Kroaci, a do të duhej të shkarkohej deri sa të zbardhet rasti?

Haziri: Do të duhej të thirrej urgjentisht në Kosovë dhe të vendosjes në Ministrinë e Jashtme. Përderisa nuk zbardhet rasti, ambasadori Berishaj do të duhej të vazhdonte nga Prishtina ta kryej detyrën e tij sepse në situata të tilla minimumi i reagimit është që ai duhet të kthehet në vendin e vet dhe ai duhet ta trajtojë me institucionet e veta çështjen që  po njihet s skandali i energjisë në Ballkan. Dhe, natyrisht, nuk e ka motivacionin vetëm të zgjedhjet sllovene e as te çështjen që lidhet me Serbinë, por po del që ka të bëjë me shitblerjen e energjisë.

Albanian Post: Për t’iu kthyer qeverisjes së Kurtit. Thatë se nuk ka përformancë të mirë, atëherë a konsideroni që duhet të ndërrohen disa ministra për shkak të performancës së dobët?

Haziri: Riformatimi eventual i qeverisë duhet të vije si pasojë e përmirësimit të qeverisjes, por me vet faktin që nuk kemi progres dhe nuk mund të dallosh dikë prej dikujt, brenda këtyre 13 muajve të qeverisjes mund të them që z. Kurti më shumë ka administruar me qeverinë mbi baza ditore sesa që ka arritur të qeveris me ekipin e tij, pa marrë parasysh dallimet që i ka dhe standardin e dyfishtë që e ka vendosur në zbatimin e politikave në qeveri.

Albanian Post: Ndryshe nga sa është pritur më parë, edhe kjo qeveri, sikur të tjerat, është akuzuar për nepotizëm, si të gjithë ka punësuar “teze e daj”…

Haziri: Po ky është njëri prej problemeve të para që i ka dalë sepse duke e administruar çështjen e Komisioneve e Bordeve dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese, qoftë përmes votimit në qeveri qoftë përmes atij në Kuvend dhe duke e shfrytëzuar të drejtën e shumicës parlamentare, natyrisht që ka arritur që të largojë shumë njerëz dhe të sjell prapa një ekip të njerëzve që po del të ketë lidhje familjare dhe rrjet të nepotizmit. Dhe, si duket, kjo është pasojë e gjendjes reale brenda VV-së sepse nuk vjen në shprehje anëtari luajal i VV-së, por në radhë të parë vijnë në shprehje lidhjet familjare atje. Është shkelje flagrante e premtimit publik që e ka dhënë, por ka shkaktuar pritje të mëdha të cilat po shkojnë drejt një dëshpërimi të madh politik.

Albanian Post: Ka pasur edhe shumë kritika për Qeverinë për qasjen e tyre ndaj mediave, ju jeni politikan që prej kohësh keni punë me gazetarë – a e keni parë arrogancën e qeverisë në qasje me gazetarët?

Haziri: Shumica parlamentare të bën pak arrogant edhe me gazetarët e edhe me qytetarët. Kjo arrogancë politike po shihet, është pasqyruar edhe në raportet ndërkombëtare, fatkeqësisht. Por, mbi të gjitha, ka të bëj me atë që z. Kurti dhe qeveria e tij i kanë zgjedhur që t’i kenë partnerë dikë tjetër e jo qytetarin.

Albanian Post: Përkundër kritikave që keni, në çfarë versioni do të mund të shohim LDK-në në koalicion me LVV-në prapë në të ardhmen?

Haziri: Ne e kemi bërë një rikthim të madh në zgjedhjet lokale duke dalë partia e parë me votë politike dhe më numrin më të madh të Komunave. Tani jemi në biseda me qytetarët, nuk jemi në biseda me askënd tjetër dhe në asnjë mënyrë nuk jemi duke e parë vetën si pjesë e mozaikut qeverisës me VV-në e as me partitë që kanë qeverisur në të kaluarën e afërt. Ne do të angazhohemi që ta mobilizojmë votuesin, qytetarin e simpatizantin e LDK-së dhe presim rikthim të natyrshëm politik si partia e parë në Kosovë.

Albanian Post: Krejt në fund në Gjilan si e keni parë qeverisjen e kryetarit Alban Hyseni, a mendoni që ka mungesë të përvojës për të qeverisur me një qytet të madh siç është Gjilani e i cili ka shumë probleme?

Haziri: Deri tani, përvoja dhe monitorimi po tregon qartë që nuk ka politikë operacionale të zbatimit të programit lokal të premtuar, nuk ka as kontinentet të disa programeve që janë në interes të zhvillimit lokal ekonomik. Është një ngërç politik dhe administrativ në Gjilan, i cili nuk dihet kur mund të debllokohet dhe të funksionalizohet dhe ky ngërç vjen si pasojë e mos menaxhimit të mire të punëve, prioriteteve e detyrave të lëna si trashëgimi edhe financiare edhe projekte të mëdha sistemore. Mos të flasim për projekte të reja që nuk po shihet që ka ndonjë prioritet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore