Lajme

Intervistë ekskluzive me Pieter Feith, ish “Mbretin e Kosovës” për 4 vjet – “Kujdes nga elementet malinje brenda trupit të shtetit”


Ilustrim: Pieter Faith

Kosova në vitin 2008 shpalli veten demokracia më e re në botë.

Por, mbikëqyrësi i kësaj demokracie u quajt Mbret.

Në një intervistë të rrallë për Albanian Post, 15 vjet më vonë, Pieter Feith, ish-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Kosovën, e kujton me të qeshura akuzën e Albin Kurtit, atëherë kundërshtues i zgjidhjes që Kosovës ia dha Pakoja e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari.

Tash kur vetë Kurti gëzon postin e asaj demokracie të mbikëqyrur, Feith nuk ka hatërmbetje për “titullin” që ia dhanë. Situata ka ndryshuar, tash me Kurtin “jemi miq”.

Asnjëherë s’e kishte trajtuar seriozisht kritikën, sepse siç thotë, “epo, në vitin 2008 Kosova nuk u bë monarki!”.

Faith në Kosovë kishte mbërritur vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi.

Misioni i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës zgjati plot katër vjet.

Këto katër vjet, Feith kishte fuqi ekzekutive mbi Kuvendin, Presidentin e Qeverinë.

Kur kujton një barrë kaq të madhe mbi supe, në një vështrim retrospektiv, Feith tregon për Albanian Post sfidat e shumta me të cilat ishte ballafaquar gjatë udhëheqjes së misionit.

“Të jem i sinqertë, sfidat ishin të shumëfishta”, thotë Feith, duke shtuar se “Kosova lindi pas një periudhe traumatike dhe të konfliktit, duke hyrë në një botë aspak miqësore”.

Në këtë intervistë për Albanian Post Feith jep këshilla të vlefshme për rrugën përpara, kujdesi që duhet të bëhet në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe sjellja e qeverisë së Kosovës në situatën e fundit kur para ka një propozim për marrëveshje të rëndësishme.

Intervista e plotë e Pieter Feith për Albanian Post:

Albanian Post: Ju keni filluar detyrën si Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar dhe njëherit si përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Kosovën më 19 shkurt të vitit 2008 dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me një mision të qartë për ta mbikëqyrur pavarësinë e Kosovës, që nga ajo kohë kanë kaluar plot 15 vjet, si ju duket Kosova sot?

Pieter Feith: Kosova ka bërë përparim të madh, pasi është njohur nga BE-ja dhe miqtë e ngushtë të saj. E vizitova Prishtinën në shtator të vitit të kaluar, për të shënuar 10 vjetorin e përfundimit të mbikëqyrjes, dhe fitova një përshtypje të menjëhershme të hapave të rëndësishme të bëra gjatë periudhës së fundit. Vendi juaj është stabil, duke u mbështetur në grupin e talentuar të të rinjve kosovarë dhe duke ecur përpara në drejtim të prosperitetit dhe rritjes. Aspirata e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian ofron një nxitje të fuqishme për reforma, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të të gjithë qytetarëve. Plani i Ahtisaarit – plani për shtetndërtimin gjatë periudhës fillestare të pavarësisë së Kosovës – sinjalizoi drejtimin që duhet marrë [Kosova]. Që atëherë, qeveritë e njëpasnjëshme kanë vepruar duke respektuar në plotni dispozitat e tij.

Albanian Post: Më 12 shtator të vitit 2012, pra 10 vjet më parë, mori fund mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës që cili zgjati plot 4 vjet, cilat ishin sfidat që kishit atëherë dhe a mund të na tregoni cila ishte pika më e ndërlikuar e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës?

Pieter Feith: Për të qenë i sinqertë, sfidat ishin të shumëfishta. Dy misionet e mia – si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar i ngarkuar për të këshilluar dhe mbështetur institucionet e Kosovës – dhe si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, për të çuar përpara interesat e BE-së në rajon – u kryen paralelisht pa qenë të pajtueshme në të gjitha aspektet. Kosova lindi pas një periudhe traumatike dhe të konfliktit, duke hyrë në një botë aspak miqësore. Megjithatë, kombi u rikuperua, i fuqizuar nga pavarësia dhe liria. Dhe më lejoni të përmend rëndësinë e sukseseve fillestare, duke përfshirë ngritjen në këmbë të institucioneve kyçe të shtetit si Gjykata Kushtetuese, Banka Qendrore dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe krijimin e komunave ne zonat kosovaro-serbe.

Albanian Post: Veriu i Kosovës muajve të fundit është shndërruar në një arenë ku Kosova dhe Serbia po peshojnë forcat e tyre. A ishte kaq problematik kjo pjesë e territorit të Kosovës edhe gjatë mandatit tuaj? Sipas jush cila do të ishte zgjidhja më ideale për këtë pjesë të vendit?

Pieter Feith: Ishte, por bashkë me qeverinë arritëm ta nisim procesin e dialogut me kryetarët e Veriut. Në Mitrovicë u themelua një zyrë qeveritare për të ofruar shërbime – pensione, certifikata – për qytetarët. Dekreti i qeverisë duhet të shtrihet në Veri, duke garantuar qytetarët atje se ata mund të ndjekin mënyrën e tyre tradicionale të jetesës. Sipas nevojës ata [serbët] duhet të jenë në gjendje të mbajnë lidhjet e bashkëpunimit me Serbinë në atë mënyrë që të jetë transparente edhe për autoritetet në Prishtinë.

Albanian Post: Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të re shumë më dinamike pas propozimit franko-gjerman, A mendoni se një plan i tillë mund të zgjidh kontestin në mes të dy vendeve marr parasysh se i njëjti nuk parasheh njohjen de jure të pavarësisë së Kosovës?

Pieter Feith: Mendoj se qeveria duhet të shqyrtojë seriozisht pranimin e propozimit franko-gjerman. Kjo është një mundësi e rëndësishme. Në negociata të një rëndësie të tillë kombëtare, do të ishte thjesht e çuditshme, për të thënë të paktën, të jesh i fundit që të thuash ‘Jo’. Për Kosovën ka përfitime të rëndësishme që presin, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përparimin në përafrimin me BE-në dhe pranimin në institucionet anembanë botës. E parë nga një perspektivë më e gjerë, situata e sigurisë në dhe rreth Evropës tani është vërtet shumë sfiduese, me rrezik të lartë për stabilitetin në Ballkan. Prandaj është koha që të mbyllet dialogu dhe të shkohet drejt pajtimit.

Albanian Post: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është njëra ndër çështjet më të diskutuara në Kosovë muajve të fundit, BE-ja dhe SHBA-të po kërkojnë formimin e këtij mekanizmi. Sipas jush a duhet Kosova ta formojë Asociacionin dhe pse?

Pieter Feith: Qeveria duhet të balancojë me kujdes avantazhet dhe rreziqet e përfshira. Bashkëpunimi ndërkomunal, partneritetet dhe Asociacioni i Komunave në përputhje me ligjin e Kosovës tashmë ishin paraparë në planin e Ahtisaarit (ndjehem keq që nuk mundëm ta zbatonim këtë dispozitë pasi koha po mbaronte). Mirëpo, këto struktura nuk duhet të bëhen elemente malinje brenda trupit të shtetit të Kosovës, për t’u manipuluar nga të huajt. Këtu besoj se BE-ja duhet të luajë një rol aktiv duke nxitur zbatimin në përputhje të plotë me kuadrin ligjor kombëtar.

Albanian Post: Në atë botë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa ishit në krye të misionit për mbikëqyrjen e pavarësisë ju quante “Mbret i Kosovës”, si po e shihni ju qeverisjen e tij dy vjeçare dhe cila është këshilla juaj për Kurtin?

Pieter Feith: Epo, në vitin 2008 Kosova nuk u bë monarki! Kam pasur privilegjin të takohem me kryeministrin Kurti shtatorin e vitit të kaluar dhe u bëmë miq. Jam i bindur se nën drejtimin e tij të mençur Kosova do të vazhdojë me besim të kontribuojë në vlerat e përbashkëta të familjes evropiane të kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore