Lajme

“Intervista e Hill përçoi tri mesazhe të Joe Biden në Serbi, njëra prej tyre njohja e Kosovës”, thonë analistët serbë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Intervista e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, u bë subjekt interpretimi në Serbi, nga e cila, sipas analistëve serbë, ishin tri-mesazhe kyçe të presidentit Joe Biden që Hill ia përcolli Serbisë.

Pritjet e ShBA-së që Serbia të orientohet kah Perëndimi, arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohje të ndërsjellë (ndonëse thonë se Hill diplomatikisht e shmangu një formulim të tillë, por që mesazhi është i njëjtë), dhe sanksionet ndaj Rusisë në lidhje me shkëputjen nga varësia e gazit rus, ishin mesazhet që mund të ekstraktohen nga intervista e ambasadorit Hill, thanë analistët.

“Pozicioni që Perëndimi kohëve të fundit ka qenë duke e theksuar shpesh e më shpesh dhe zëshëm e më haptazi, është se Serbia nuk do të hyjë zyrtarisht në Bashkimin Evropian derisa nuk e arrin një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Prishtinën, pra, do të thotë, derisa nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Suzana Grubjesiç nga Qendra për Studime të Politikës së Jashtme në Beograd për B92.

“Ndonëse ai diplomatikisht i mënjanoi këto fjalë”, vlerëson ajo, “Hill dërgoi mesazh që praktikisht ka kuptimin e njëjtë në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë”.

“Jam i brengosur në lidhje me mungesën e përparimit në dialog. Nuk e di se si do të dukeshin masat e duhura të përfshirjes së ShBA-së, por BE ka disa pikëpamje të caktuara rreth dialogut dhe pozicioni i saj është se është një dialog që do të pastrojë rrugën drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë Hill ditë më parë në një intervistë për “Blic”-in serb.

Në fund të fundit, BE ka pasur përvojat e saj të kaluara nga ku ka mësuar se nuk dëshiron të përfshijë [në proces] shtete të tjera të cilët vetëm se do të sillnin probleme, sepse tashmë edhe kanë mjaftueshëm probleme të tyre. Koncepti i dialogut është të sqarojë problemet para anëtarësimit në BE”.

Kryetari i qendrës hulumtuese “Libek”, Millosh Nikolliç nuk pret që Serbia të përfundojë shpejt procesin e integrimit europian.

“Ne në kuptimin konvencional nuk do të hyjmë në BE në një të ardhme të afërt. Ndër të tjera, sepse nuk ka vullnet politik në vetë BE-në, por edhe sepse në shoqërinë tonë nuk ka vullnet për të marrë parasysh, edhe në të ardhmen e afërt për të gjetur zgjidhje kreative që do t’i mundësonin Prishtinës të vazhdojë integrimin në bashkësinë ndërkombëtare”.

“Këtu roli i ShBA-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nëse përkojmë me Amerikën në interesat kyçe strategjike, ndoshta mund të presim mbështetje në aspektin e zgjidhjeve kreative në fushën e lidhjes me BE-në”, thekson Nikoliç.

Siç thotë ai, SHBA-të tashmë mbështesin fuqishëm nismën e Ballkanit të Hapur, e cila mund të jetë vendimtare në fushën e integrimit të mëtejshëm me BE-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore