Shqipëria

Interpol Tirana/ Ekstradohet nga Zvicra i shpalluri në kërkim


Interpol Tirana ka bërë me dije se vijon bashkëpunimi me homologët për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në këtë kuadër është ekstraduar nga Zvicra një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim për mashtrim me pasoja të rënda, të kryer në mënyrë të përsëritur.

Falë bashkëpunimit me homologët zviceranë, Zyra Qendrore Interpol Tirana ka realizuar ekstradimin nga Zvicra drejt vendit tonë të shtetasit Avni Buci, 48 vjeç.

Mësohet se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të vendimit penal të datës 21.06.2017, të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjykata e ka dënuar atë me gjashtë vjet burgim për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer më shumë se një herë dhe “Mashtrimi me kredi”.

Shtetasi Avni Buci, gjatë periudhës 2008-2011, në mënyrë të përsëritur, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash dhe automjete, duke mashtruar persona të ndryshëm fizikë dhe juridikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore