Sport

Interi ndalet nga Udinese


Inter-i i Antonio Conte-s është ndalur në barazim pa gola me Udinese-n. Djemtë e Conte-s nuk arritën të përfitonin pas humbjes së Milan-it, për të marrë vendin e parë në Serinë A.

Pas asaj ndeshje të fituar kundër Juventus-it, me shifrat 2-0, ekipi i Conte-s ishte shumë euforik. Inter-i u duk sikur ishte në rrugë të mbarë drejt synimeve për titullin kampion dhe pikërisht ndeshja ndaj Udiniese-s i riktheu zikaltrit me këmbë në tokë. Pasi kampionati është i gjatë dhe janë edhe 19 javë të tjera për t’u luajtur.

Gjatë gjithë takimit Inter-i e kërkoi golin, por me një super Juan Musso në portë, Udinese ishte e pathyeshme. Portieri ishte dhe lojtari i ndeshjes. I vlerësuar me notën 7.8 nga Sofascore.

Musso së bashku me tre mbrojtesit, Rodrigo Becao-n, Kevin Bonifazi-n dhe Samir-in, ishin ndër më të mirët në fushë. Pa harruar dhe kapitenin Rodrigo de Paul.

Në krahun e zikaltërve paraqitje të mirë kishin Samir Handanoviç-i, Stefan de Vrij-i, Milan Skrinar-i, Alessandro Bastoni, Marcelo Brozoviç-i dhe Nicolo Barella. Romelu Lukaku nuk ishte në ditën e tij më të mirë, megjithatë kishte një performancë disi të kënaqëshme. Lautaro Martinez-i dhe Achraf Hakimi bënë një ndeshje totalisht për t’u harruar, duke qënë më të dobëtit në fushë.

Me barazimin përballë Udinese-s, Inter-i qëndron përsëri në vendin e dytë të Serisë A, me 41 pikë. Dy pikë me pak se Milan-i i vendit të parë dhe katër pikë më shumë se Roma e vendit të tretë. Në krahun tjetër, Udinese, renditet në vendin e 14 me 18 pikë.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, të luajtura ditën e shtunë: Roma fitoi 4-3 përballë Spezia-s, dhe Fiorentina fitoi 2-1 përballë Crotone-s. Të dielën do të luhen sfidat: Juventus-Bologna, Hellas Verona-Napoli, Genoa-Cagliari, Lazio-Sassuolo dhe Parma-Sampdoria./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore