Sport

Inter-i sfidon Juventus-in për Scamacca-n


Gianluca Scamacca është gati për të nisur një aventurë të re me një klub më të madh se Sassuolo. Talenti italian që ka shpërthyer në dy sezonet e fundit në Serie A, ka tërhequr vëmendjen e Juventus-it dhe Inter-it.

Sipas mediave italiane, Juventus-i është një nga skuadrat më të interesuara për shërbimet e sulmuesit. Bardhezinjtë janë gati të paraqesin ofertën e tyre te Sassuolo që në janar.

Mirëpo sipas të përditshmes sportive italiane “Gazzetta dello Sport”, Inter-i tashmë ka hyrë në garë për 22-vjeçarin.

Zikaltrit, kanë ofruar 10 milionë euro më shumë se 35 milionët e ofruara nga “Zonja e Vjetër”. Juventus-i për të ulur vlerën e Scamacca-s do të ofronte dhe një lojtar të U-23.

Një aspekt që favorizon zikaltrit është se ata nuk e kanë me ngut transferimin e 22-vjeçarit. Skuadra nga Milano mund të presë deri në verë, ndërsa Juventus-i e do me patjetër në janar.

Sassuolo humbi shërbimet e Jeremie Boga-s, i cili në janar do të kalojë te Atalanta dhe nuk dëshiron të humbasë një tjetër lojtar formacioni.

Inter-i në verë mund të ofrojë te Sassuolo edhe kartonin e Andrea Pinamonti-t. Edhe ky 22-vjeçar që aktualisht luan si i huazuar te Empoli. Sulmuesi pëlqehet nga drejtuesit e Sassuolo-s.

Pinamonti vlerësohet rreth 20 milionë euro. Po ashtu emilianët pëlqejnë edhe qendërmbrojtësin, Lorenzo Pirola. Aktualisht Inter-i e ka huzuar te Monza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore