Sport

Inter-i mund të përfundojë në duart e sheikëve të Arabisë Saudite


Pronarët aktual të Inter-it, Suning, pak ditë më parë ka shpallur zyrtarisht shkrirjen e ekipit Jiangsu FC në Kinë, për shkak të borxheve dhe vështirësive financiare, të cilat po i vuan edhe Inter-i.

Nuk dihet si do të shkojë situata me klubin italian, ndërkohë raportohet se zikaltrit nuk kanë paguar ende bonuset për Romelu Lukaku-n te Manchester United-i. Dhe për Achraf Hakimi-n te Real Madrid-i nuk kanë paguar akoma kartonin e tij, ndërkohë që Real-i u ka lënë afat deri në qershor të 2021-s.

Suning-u në fakt po kërkon një blerës serioz për Inter-in, por kërkesa e lartë e tyre, për shitjen e aksioneve, nuk ka tërhequr shumë investitorë.

BC Partners u ofrua e para për të marrë aksionet e Suning-ut, duke ofruar 750 milionë euro, por kompania nuk pranon më pak se 1 miliard euro, pa përfshirë borxhet që ka klubi.

Së fundmi mediat më të mëdha sportive në Itali, raportojnë se Fondi i Investimeve Publike (PIF) të Arabisë Saudite është i interesuar për të blerë Inter-in.

PIF drejtohet nga Princi i Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman-i, dhe më herët kanë qenë të lidhur me një blerje të mundshme të klubit anglez të Newcastle-t.

Momentalisht nuk dihet sa do të jetë oferta e PIF drejtuar Suning-u. Ajo që vlen të theksohet është se PIF ka asete me vlerë rreth 347 miliardë dollarë, në fushat e investimeve strategjike, industriale, energjitike, teknologjike dhe informacionit, hapsirës ajrore, huave të ndryshme, sigurisë, strehimit etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore