Sport

Inter-i dhe Juventus-i nuk zhgënjejnë


Inter-i i Antonio Conte-s ka mposhtur me rezultatin 2-1 Sassuolo-n, duke vijuar me ecurinë pozitive. Në ndeshjen tjetër, Juventus-i ia ka dalë përballë Napoli-t, duke fituar po me rezultatin 2-1.

Inter-i e nisi mirë sfidën, duke shënuar golin e parë që në minutën e 10. Romelu Lukaku shënoi pas asistit të Ashley Young-ut. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 për Inter-in dhe pse miqtë ishin ata që kontrolluan lojën.

Edhe në pjesën e dytë të takimit, Sassuolo kontrolloi lojën, por fillimisht shënoi për 2-0, Lautaro Martinez-i. Argjentinasi shëndroi në gol një asist nga Lukaku, në minutën e 67.

Në minutën e 85, Hamed Traore ngushtoi rezultatin, në 2-1. Rezultat i cili do të mbetej i tillë deri në fishkëllimin e fundit të arbitrit.

Lukaku ishte njeriu i ndeshjes. Belgu shënoi një gol dhe dhuroi një asist. Sipas Sofascore, performanca e tij vlerësohet me notën 8.1. Lojtari më i dobët ishte portieri i Sassuolo-s, Andrea Consigli, i vlerësuar me notën 5.9.

Në “Allianz Stadium” fati i buzëqeshi vendasve dhe sidomos teknikut, Andrea Pirlo, që në rast se do kishte humbur ndeshjen rrezikonte shkarkimin.

Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh, falë golit të Cristiano Ronaldo-s në minutën e 13 të takimit. Portugezi shënoi pas një asisti fantastik të Federico Chiesa-s. Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-0 për vendasit.

Në pjesën e dytë të takimit i rikthyeri në fushë, pas një kohe të gjatë i ndaluar nga dëmtimet, Paulo Dybala, shënoi për 2-0. Argjentinasi hyri në fushë në minutën e 69 dhe katër minuta më vonë shënoi golin, pas asistit të Rodrigo Bentancur-it.

Napoli ngushtoi rezultatin në minutën e 90 me anë të kapitenit, Lorenzo Insigne. Italiani nuk gaboi nga pika e bardhë e 11 metërshit.

Lojtari më i vlerësuar i ndeshjes sipas Sofascore ishte Chiesa, me notën 8.2. Lojtari më i dobët ishte Alex Meret, portieri i Napoli-t, me notën 6.2.

Pas 29 javësh të luajtura, Seria A kryesohet nga Inter-i me 71 pikë, ndiqet nga Milan-i me 60 pikë, Juventus-i me 59 pikë dhe Atalanta me 58 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore