Shqipëria

Integrimi në BE: Gjermania mbështet çeljen e negociatave Shqipëri-MV


Ministri Gjerman për Evropën, Michael Roth, ka shprehur mbështetjen e superfuqisë evropiane për Presidencën portugeze dhe objektivat e vendosura nga ajo, mbi çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një deklaratë të mëparshme gjatë vizitës së tij në Shkup, komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, e cilësoi si të mundur ndarjen e Shqipërisë nga MV-ja. Kjo, në rast se pala maqedonase, nuk do të arrinte të zgjidhte konfliktet me Bullgarinë.

Gjithsesi, Roth nuk lë të nënkuptohet asgjë e tillë. Madje, ai thekson se duhen bërë përpjekjet maksimale që të dy shtetet të hapin negociatat në Qershor.

“Të dy shtetet kanë zbatuar reformat e kërkuara. Tashmë, BE-ja duhet të veprojë gjithashtu. Vonesa të tjera e minojnë besueshmërinë e BE-së dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit”.

Shkupi zyrtar është hasur me një bllokim nga Sofia për rrugën e anëtarësimit drejt BE-së. Kjo, pas konflikteve të shumta mbi identitetin kombëtar maqedonas. Pala bullgare, pretendon se identiteti nuk është maqedonas, por bullgar.

Një saktësim mbi çështjen pritet më tej nga pala evropiane. Ende nuk është e qartë nëse realisht në qershor, do të kemi mundësinë të shohim konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore