Lajme

Integrimi i veriut të Kosovës mbetet në letër, kërkohet dialog me serbët


Integrimi i pjesës veriore në sistemin e vendit, po vazhdon të jetë sfidë për secilën Qeveri në Kosovë. Ndonëse partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka proklamuar idenë e dialogut të brendshëm me serbët në atë pjesë, kjo gjë ende nuk ka filluar.

Ish-kryetari i këtij subjekti, Visar Ymeri, thekson se kjo ide e VV-së duhet mirëmbajtur dhe zbatuar, teksa shton se kjo nuk duhet të ndodh përmes forcës.

“Mendoj që Lëvizja Vetëvendosje është e pakta nga partitë politike që e kanë pasur për një kohë të gjatë idenë e dialogut të brendshëm dhe ky dialog i brendshëm ndërmjet institucioneve publike dhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë, e sidomos pakicës serbe, është ide që duhet mirëmbajtur e duhet zbatuar sepse e kemi një problem të jashtëzakonshëm për mosintegrimin e serbeve të veriut në kuadër të jetës politike institucionale të Kosovës”, tha Ymeri për EO.

Visar Ymeri

Sipas tij, kontakti i parë me ta nuk ka qenë dashtë të jetë policia por diskutimi, “dhe unë nuk e kuptoj pse kryeministri i Kosovës nuk e bën asnjë diskutim sado të vogël që të ketë me serbët që jetojnë në veri”.

“Me përfaqësues të tyre politike e të shoqërisë civile, dhe një pikëpyetje e madhe është se a ka plan Qeveria për pjesën e veriut, dhe nëse ka plan a është ky plan publik, a e dimë ne se çfarë do të bëjmë me veriun, dhe më e rëndësishmja është se a u kemi treguar serbëve të veriut se çfarë kemi në plan të bëjmë me veriun, pra çka u ofron Republika e Kosovës në mirëqenien e tyre”.

Ndërkaq Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë se problemet me atë pjesë duhet të zgjidhen me mjete politike, teksa shton se e kundërta mund të sjellë pasoja të rënda.

Ai thotë se reciprociteti me Serbinë që funksionon për veriun e vendit duhet të vlejë edhe për Luginën e Preshevës.

“Mendoj që në veri institucionet e Kosovës funksionojnë në nivel shumë bazik, për shkak të situatës së tensionuar që ekziston me Serbinë dhe veriun, dhe problemi në veri është problem i thellë politik dhe këto vetëm me mjete politike mund të zgjidhen, e kushdo që mendon ndryshe gabon, dhe e vetmja mundësi që të zgjidhen këto probleme janë marrëveshjet politike”, theksoi Murati,

Valon Murati

Përderisa njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, potencon se faktori ndërkombëtar duhet të punojë më shumë dhe të jetë i ndërlidhur me pushtetin qendror dhe atë lokal me projekte të ndryshme, me qëllim të integrimit të asaj pjese.

“Sidomos ato dy rastet që i pamë, sidomos reagimi i ekstremistëve serb të shtyrë nga Beogradi që të reagojnë me ato veprime, sidomos rasti i dytë ku u ndërmor një aksion për luftimin e krimit dhe korrupsionit, dhe kjo nuk duhet të bëhet me forcën policore por me afrimin e pjesës veriore”, pohoi Ibishi.

Nuredin Ibishi

“Pra këto çështje nuk duhet të bëhen temë tabu, vetëm kur ndërmerren aksione të tilla por të ndodh një transformim i plotë i veriut dhe i serbëve në vijat shtetërore të Kosovës. Faktori ndërkombëtar duhet të punojë dhe të jetë i ndërlidhur me pushtetin qendror dhe atë lokal me projekte të ndryshme, me qëllim të integrimit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore