Shqipëria

“Integrimi evropian vjen përmes të rinjve”


Në “zemër të demokracisë evropiane”, mijëra të rinj nga i gjithë kontinenti e më gjërë, zgjodhën të flasin për të ardhmen e Evropës.

Mes tyre, dhe të rinjtë e Ballkanit Perëndimor.

Më herët, gjashtë liderët ballkanas u mblodhën me ata të Bashkimit Evropian në kështjellën e Brdo-së (Slloveni), ku diskutuan mbi të ardhmen e rajonit në Bllok.

Si dhe u dakordesuan bashkarisht mbi angazhimin e palëkundur të BE-së mbi Ballkanin.

Në këtë samit, Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama, shfaqi një qasje pesimiste sa i përket hapjes së negociatave, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa, Kosova e Bosnja dhe Hercegovina janë ende në procesin e arritjes së kësaj njohjeje. 

E, teksa krerët e gjashtë vendeve ballkanike, herë pas herë, mblidhen në të tilla samite, ku ngrenë problematika, shkëmbejnë ide apo japin dhe zgjidhje, rinia po tregon se ka ambicie për të tejkaluar qendrimet politike dhe ka ecur më tutje për…

“…të ardhmen e Evropës”

Kulmi i konsultimeve të të rinjve ishte në Eventin Rinor Evropian 2021 (EYE 2021), i mbajtur në Parlamentin Evropian (PE), në Strasburg të Frances.

Të rinjtë nga Evropa, por dhe nga Ballkani Perëndimor,  u njohën më nga afër me funksionin politik të këtij institucioni.

Me synim promovimin e barazisë, gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërinë në Evropë, EYE 2021, përgjatë periudhës 4-9 tetor, solli një sërë aktivitetesh online dhe hibrid.

Këto me tematika si inovacioni, perfshirja sociale , çeshtjet klimaterike dhe angazhimi rinor në BE.

Po ashtu, pati edhe grupe bisedimesh, aktivitete sportive, shfaqjeje artistike etj., nga organizata rinore dhe institucione publike.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të PE-së, si: Nicolas Schmit, komisioneri evropian për Punën dhe të Drejtat Sociale, si dhe ajo për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakides.

Prezente ishin edhe nënkryetarja Roberta Metsola dhe anëtari Evin Incir nga PE-ja.

Nuk mungoi as kryetari i Bashkisë së Strasburgut, Jeanne Barseghian, si dhe përfaqësues nga media, si Rachel Stewart, Deutsche Welle etj.

“Bashkëpunimi rinor Shqipëri-BE, mesazh i qartë për zyrtarët e lartë”

Parlamenti Evropian i Strasburgut ishte nikoqiri edhe i delegacionit shqiptar.

Nën ombrellën e Kongresit Rinor Kombëtar (KRK), organizëm “aktiv” i 120 entiteteve rinore në Shqipëri, 15 të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile por dhe te administratës vendore, udhëtuan drejt Strasburgut të Francës.

Duke e tejçuar përtej kufijve të Ballkanit Perëndimor, vetë dëshirën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), “të rinjtë e vendit tonë po bashkëpunojnë me ata evropianë”.

Kështu u shpreh Ergys Gezka, drejtor Ekzekutiv i Organizatës Liburnetik, si dhe pjesë e delegacionit shqiptar në EYE 2021.

Gjithashtu tha për Albanian Post (AP) se, “në një periudhë krize të identitetit të BE-së, është pozitive që vëmendja fokusohet tek të rinjtë”.

Sipas tij, i takon rinisë “të rithemelojnë këtë bashkim, duke u dakordësuar mbi parimet dhe vlerat themelore të këtij bashkimi”.

Kurse, ekspertja në Çështjet e Integrimit Evropian, Blerta Tuci, e cilësoi këtë event “të përmasave të mëdha”, si “mundësi promovimi” të të rinjve shqiptar, në kontekstin Evropian.

“Integrimi i Shqipërisë në BE, vjen përmes të rinjve”, u shpreh ajo.

“Shkëmbime kaq multidisiplinare janë thelbësore për të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse e bëjnë të prekshëm shembullin e diversitetit”, tha ekspertja Tuci, duke shtuar se, gjithashtu, “kontribuojnë në idenë e një BE-je ndërkulturore dhe solidare”.

Për Ina Bregajn, përfaqësuese e pushtetit lokal në Shqipëri, “EYE2021 iu dha mundësinë që të votonin mbi idetë prioritare që PE-ja duhet të ketë”.

“Ky aktivitet ka krijuar baza të forta mes të rinjve shqiptarë apo i të gjithë Ballkanit Perëndimor me ata evropianë”, u shpreh ajo për AP-në.

Ndërsa theksoi që, “kjo mundësi sjell më shumë ide” mbi atë çfarë duhet përmirësuar në Shqipëri.

Nga qyteti “intuitiv” dhe “funksional”, Strasburgu, Gezka tha se sinergjia mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre evropianë “shërben si faktor përforcues dhe një mesazh i qartë për përfaqësuesit e BE-së”.

“Ata duhet t’i mbajnë premtimet e dhëna”, u shpreh përfaqësuesi i shoqërisë civile.

Sa u përket liderëve të qeverive të Ballkanit Perëndimor, tha se “duhet të mbajnë të motivuara të gjitha strukturat në lidhje me integrimin e rajonit tonë në BE”.

Tirana – Kryeqyteti Evropian i Rinisë

E nëse thonë që ndryshimi fillon nga vetja, edhe të rinjtë shqiptarë bashkëpunimin e kanë filluar që nga vetja.

Më 21 nëntor 2019, Tirana mori titullin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022.

Ka qenë ndërveprimi i pushtetit lokal, Bashkisë Tiranë dhe i shoqërisë civile, Kongresi Rinor Kombëtar, dhe organizatave të tjera rinore/për rininë, të cilët kërkuan “me ngulm” të sillnin këtë titull në kryeqytetin e Shqipërisë.

Programi prej tetë pikash do të sjellë një gamë të gjerë aktivitetesh rinore në Shqipëri.

Aspasiana Kërxhalli, delegate e Bashkisë Tiranë në EYE2021, u shpreh se ky aktivitet “na ndihmon që aktivitetet e BE-së t’i sjellim dhe në Tiranë”.

Kjo, në sajë të titullit që Tirana do të mbajë përgjatë vitit 2022.

“EYE 2021 ndërgjegjëson të rinjtë se, grupe të tilla janë mundësi potenciale për krijimin dhe fuqizimin e një network-u të mirë”, u shpreh ajo, ndërsa theksin e vuri dhe te bashkëpunimi me institucionet evropiane.

Ky titull, për Gezkën, i cili ishte pjesë e aplikimit të Tiranës si Kryeqytet i Rinisë, “është mundësi dhe përgjegjësi për strukturat zbatuese, gjatë vitit 2022”.

“E kemi detyrë morale të demonstrojmë qartazi se në ç’nivel është rinia shqiptare. Gjithashtu t’i tregojmë Evropës sa gati është rinia, për të qenë me të drejta të plota, për vlerat e qytetarisë aktive dhe gjithëpërfshirjes sociale”.

Këtë e ka ravijëzuar dhe kreu i qeverisë franceze, Emmanuel Macron, në Amiens, gjatë ceremonisë së Çmimit për Tiranën Kryeqytet i Rinisë.

“Integrimi është proces rritjeje standardesh në fusha të ndryshme të jetës sonë. Të rinjtë duhet të tregojnë brenda vendit të tyre sesi arrihet integrimi i mirëfilltë”, ka cituar Gezka fjalët e Macron-it.

Do të jenë mbi 8 mijë të rinj nga e gjithë Evropa, sipas KRK-së, që do të bëhen pjesë e qindra aktiviteteve në Tiranë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore