Shqipëria

INSTAT: Turizmi shqiptar në krizë


Sektori turizmit ka pësuar rënie për shkak të pandemisë, ku humbjet vlerësohen nga 1 deri në 1.5 miliardë euro.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në muajt qershor, korrik, gusht,që korrespondon me sezonin veror, numri i netëve të qëndrimit nëpër hotele dhe struktura të tjera akomoduese në vendin tonë ka rënë me 900 mijë, ose me rreth 50 %.

Shqipëria renditet në vendin e nëntë në Evropë për humbjet që ka pasur nga pandemia gjatë sezonit veror.

Paketat e ndihmës dhe hapja e kufijve ishin dy nga mekanizmat që u përdorën për rikuperimin e humbjeve, por efekti i tyre ka qenë shumë i vogël.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një dëgjese në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, me datën 28 dhjetor ka shprehur pakënaqësi ndaj buxhetit duke e konsideruar “të pamjaftueshëm për të përfunduar investimet”.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ka dalë në një njoftim në datën 30 dhjetor 2020 që do të bashkë-financojë projekte në sektorin turistik duke vënë në dispozicion, për vitin 2021, një fond prej 30 milionë lekësh.

Sipas Ministrisë, do të mbështeten me fonde deri në 50% nga buxheti i shtetit ato projekte të cilat synojnë promovimin e destinacioneve turistike dhe të vlerave të veçanta të produkteve dhe atraksioneve turistike. /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore