Shqipëria

INSTAT: Rritet punësimi tek të rinjtë, të rejat e vetëpunësuara dyfishohen


Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës tek të rinjtë është rritur ndjeshëm në periudhën 2016-2019, ku shifrat flasin jo vetëm për një rritje të përgjithshme, por mbi të gjitha për angazhim të shtuar të vajzave në sektorët e ndryshëm të punës.

Këto janë të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, INSTAT.

Në terma të përgjithshëm, pjesëmarrja e të rinjve nga 15-24 vjeç, nga 20.2% në vitin 2016, është rritur në 26.7% në vitin 2019. Në këtë të dhënë nuk janë të përfshirë të rinjtë, të cilët ndjekin studimet.

Një e katërta e të rinjve nuk kryejnë asnjë aktivitet pjesëmarrës. Pra, nuk ndjekin as studimet, as trajnime dhe as shkollë të lartë.

Kjo shifër tërësore ka pësuar ulje në tre vjet. Ndërsa tek meshkujt ka shënuar rritje me 1.4% mos aktivizimi, tek femrat ka shënuar ulje me 2.3%.

Sipas gjinisë, më të papunët janë meshkujt, me 27.8%. Ndër femrat, 26.3% janë të papuna, për një mesatare prej 27.2% të të rinjve, të cilët janë të papunë.

Kjo shifër ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti 2016 në vitin 2019. Ndërsa në 2016-ën ishin 36.5% të papunë ndër të rinjtë, tashmë janë vetëm 27.2%. Pra, rreth 10 pikë përqindje më pak.

Ndër ata që punojnë, 12.4% janë me kontratë të përkohshme. Shifrat këtu i rrisin vajzat, pasi 14% e tyre kanë kontrata të pacaktuara. Ndër djemtë ndërkohë, 11.3% janë me kontratë të përkohshme.

Papunësia afatgjatë është në shifra të përgjithshme prej 11.7%. Raporti i papunësisë ndaj grup moshës përkatëse ndërkohë, është në 10%.

Surpriza e vërtetë vjen tek sektori i të vetëpunësuarve. Në tre vjet, të rejat shqiptare të vetëpunësuara janë thuajse dyfishuar. Ndërkohë që në 2016-ën kishim vetëm 10.6% të të rejave të vetëpunësuara, në 2019-ën kjo shifër ka shkuar në 21.3%.

Vetëpunësimi tek djemtë ka pësuar rënie me thuajse tre pikë, duke i afruar raportet ndjeshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore