Shqipëria

INSTAT/ Gati 50% e të rinjve zgjedhin bujqësinë


Sektori bujqësor vazhdon të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

Bujqësia, blegtoria dhe natyra përbëjnë një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të zonave rurale të Tiranës dhe rajoneve të tjera në Shqipëri.

Vitet e fundit, bujqësia ka tërhequr dhe vëmendjen e të rinjve.

Sipas Zyrës së Statistikave (INSTAT), në vitin 2019 punësimi i të rinjve të moshës 15-24 vjeç në sektorin e bujqësisë ka zënë 45.7 për qind të shifrës së përgjithshme, pra shifrën më të lartë në raport me sektorët e tjera, si të shërbimeve, industrisë apo ndërtimit.

Përpos faktit që ky raport është mbizotërues në raport me sektorët e tjerë, ajo që bie në sy është se, duke e krahasuar me vitin 2016, ka pasur një rritje të konsiderueshme me 8,1 %.

Në vitin 2017 dhe 2018, shifrat më të larta i ka pasur sektori i shërbimeve, përkatësisht 46.6% dhe 43.3%. Viti 2019 shikohet si viti i “përmbysjes”.

Në këtë sektor, në vitin 2019 ishin të aktivizuar 38.9% e të rinjve, ndërsa në vitin 2016 ishin 42.1%, pra rënie me 3.2%.

Përpos punësimit të të rinjve, pandemia ka nxitur sektorin e bujqësisë

Bujqësia është një ndër sektorët që nuk është prekur nga kriza e pandemisë. Shitjet dhe konsumi i prodhimeve të tokës kanë pësuar rritje gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), viti 2020 shënon rritje, duke dyfishuar rritje të eksportit të produkteve bujqësore.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e zarzavateve u rritën me 14% në raport me janar-tetor 2019. Ritme pati edhe eksporti i frutave, të cilat ishin 16% më të larta se në 10-mujorin e vitit 2019.

Ndryshe nga aktivitetet e tjera të ekonomisë që pësuan rënie, eksporti i ushqimeve dhe pijeve, gjatë periudhës janar-tetor 2020 është rritur me 10% në krahasim me 2019.

Kjo rritje ka kapur vlerën e 32 miliardë lekëve.

Ushqimet zënë 14% të totalit, duke u renditur si grupi i tretë më i madh në nëntë grupet e eksportit.

Gjithashtu pandemia ka ndikuar pozitivisht për eksportuesit e bimëve mjekësore, me një kërkesë në rritje për blerje nga kompanitë farmaceutike.

Gjatë 10-mujorit, eksportet e bimëve mjekësore u rritën me mbi 17%, me vlerë totale prej 4.3 miliardë lekësh. Bimët mjekësore ishin grupi i tretë më i madh në 22 grupet që përfaqësojnë eksportin e ushqimeve.

Buxheti i vitit 2021 adreson një vëmendje të shtuar për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka bërë të ditur se buxheti i vitit 2021 është rritur me 2.2 miliardë lekë krahasuar me vitin 2020.

Pjesëmarrja e të rinjve në tregun e punës

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës tek të rinjtë është rritur ndjeshëm në periudhën 2016-2019, ku shifrat flasin jo vetëm për një rritje të përgjithshme, por mbi të gjitha për angazhim të shtuar të vajzave në sektorët e ndryshëm të punës.

Këto janë të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, INSTAT.

Në terma të përgjithshëm, pjesëmarrja e të rinjve nga 15-24 vjeç, nga 20.2% në vitin 2016, është rritur në 26.7% në vitin 2019.

Në këto të dhëna nuk janë të përfshirë të rinjtë, të cilët ndjekin studimet.

Një e katërta e të rinjve nuk kryejnë asnjë aktivitet pjesëmarrës. Pra, nuk ndjekin as studimet, as trajnime dhe as shkollë të lartë.

Kjo shifër tërësore ka pësuar ulje në tre vjet. Ndërsa te meshkujt ka shënuar rritje me 1.4% mosaktivizimi, te femrat ka shënuar ulje me 2.3%.

Sipas gjinisë, më të papunët janë meshkujt, me 27.8%. Ndër femrat, 26.3% janë të papuna, për një mesatare prej 27.2% të të rinjve, të cilët janë të papunë.

Kjo shifër ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti 2016 në vitin 2019. Ndërsa në 2016-ën ishin 36.5% të papunë ndër të rinjtë, tashmë janë vetëm 27.2%. Pra, rreth 10 pikë përqindje më pak.

Ndër ata që punojnë, 12.4% janë me kontratë të përkohshme. Shifrat këtu i rrisin vajzat, pasi 14% e tyre kanë kontrata të pacaktuara. Ndër djemtë ndërkohë, 11.3% janë me kontratë të përkohshme.

Papunësia afatgjatë është në shifra të përgjithshme prej 11.7%. Raporti i papunësisë ndaj grup-moshës përkatëse ndërkohë, është në 10%.

Surpriza e vërtetë vjen te sektori i të vetëpunësuarve. Në tre vjet, të rejat shqiptare të vetëpunësuara janë thuajse dyfishuar.

Ndërkohë që në 2016-ën kishim vetëm 10.6% të të rejave të vetëpunësuara, në 2019-ën kjo shifër ka shkuar në 21.3%.

Vetëpunësimi te djemtë ka pësuar rënie me thuajse tri pikë, duke i afruar raportet ndjeshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore