Shqipëria

INSTAT/ Eksportet shënojnë rritje nga një vit më parë


Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) ka publikuar raportin e tregtisë së jashtme të mallrave për muajin korrik 2021. Raporti tregon një rikthim të rënies së eksporteve për korrikun në krahasim me muajin qershor, por rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2021, eksportet e mallrave arritën vlerën 32 miliardë lekë, duke u rritur me 30.6 për qind, nga një vit më parë.

Ndërsa, krahasuar me një muaj më parë, kanë pësuar ulje me 7.9 për qind.

Për sa i përket importeve të mallrave, ato arritën vlerën 72 miliardë lekë, duke u rritur me 26.1 %, në krahasim me një vit më parë dhe rritje me 6.6 % në krahasim me qershorin e vitit 2021.

Kontributin kryesor në ndryshimin vjetor të eksporteve, gjatë muajit korrik, e ka pasur grupi i “Materiale ndërtimi dhe metale” me 13.2 pikë përqindje më shumë, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me rritje 7.5 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 3.4 pikë më shumë.

Ndërsa, grupi që ka ndikuar negativisht me rënie 0,03 pikë përqindje është “Lëkurë dhe artikuj prej tyre”.

Lidhur me ndryshimin e shifrave të importeve, gjatë muajit korrik 2021, kanë ndikuar pozitivisht grupet; “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me rritje 5,8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 5 pikë përqindje më shumë, dhe “Ushqime, pije, duhan” me rritje 4,6 pikë përqindje.

Gjatë këtij shtatë-mujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: Italia me 29 %, Kosova 56,8 % dhe Spanja 40,3 %.

Nga ana tjetër, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Mbretëria e Bashkuar 7,8 % dhe Ukraina 30,5 %.

Në muajin korrik të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me korrikun e vitit 2020 janë Italia me 16,5 %, Turqia 14,2 % dhe Kina 16,8 %.

Ndërsa vendet me të cilët importet kanë pasur uljen më të madhe janë, Kroacia 11,8 %, Zvicra 27,4 dhe Austria 12,2 %.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,9 %, të gjithë tregtisë.

Në korrik, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,5 % të eksporteve dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,8 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia, Greqia, Turqia, dhe Gjermania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore