Shqipëria

INSTAT: 2020-ta shënon vitin me më shumë vdekje


Instituti i Statistikave (INSTAT), ka publikuar ditën e premte, shifrat e humbjes së jetës në vitin 2020, ku vërehet një rritje. Pandemia Covid-19 ka qenë faktori kryesor i ndryshimit të kësaj situate.

Sipas INSTAT-it, në vitin 2020 janë shënuar 27 mijë e 605 humbje jete. Duke bërë një krahasim më vitet e kaluar, shifra ka pësuar një rritje me 25.8%.

Në total 5 mijë e 668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, krahasuar me vitin 2019. Ky është niveli rekord i jetëve të humbura në vend, që prej vitit 1990.

Drejtoria e Gjendjes Civile,  ka publikuar më herët një shifër ku sipas saj vdekjet kapnin shifrën e 28 mijë personash, rreth 300 më shumë se INSTAT-i.

Në raport me mesataren e viteve 2015-2019, rritja e vdekshmërisë është me rreth 21%. Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1 mijë e 600 vdekje më shumë.

Në të katërtin, pasojat e pandemisë kanë qenë më të rënda. Gjithsej u regjistruan 9 mijë e 397 vdekje, me një rritje prej 73%, ose gati 4 mijë jetë të humbura më shumë se tetor-dhjetor i vitit 2019.

Që prej vitit 2009, mesatarisht në vend, humbjet e jetës janë luhatur mes 21-22 mijë në vit, me kulmet që deri tani ishin arritur në vitin 2015-ën dhe 2017-ën. Të dyja këto periudha përkojnë me sezone gripale më të rënda. Tremujori i parë ka qenë tradicionalisht me më shumë humbje jete, teksa moti i ftohtë ka ulur edhe imunitetin e të moshuarve.

Ndër të tjera vihet re se numri më i ulët i vdekjeve në 2020-ën, është në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa më i larti i vdekjeve në 2020, në qarkun e Tiranës, me 7 mijë e 129 vdekje.

Qarku i Tiranës ndiqet nga ai i Fierit me rreth 3 mijë e 112 vdekje. Në të gjitha qytetet vdekshmëria në 2020-ën ka pësuar një rritje.

Kjo situatë ka mbërthyer të gjithë botën, ku shifrat e vdekjes për 2020 janë alarmante.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore