Financa

INSTAT: 1 miliard euro humbje nga ekonomia shqiptare për 9 muaj


Instituti i Statistikave (INSTAT), ka publikuar raportin e nëntë mujorit ku tregohet se ekonomia shqiptare ka pësuar rënie me gati 3.5% në tremujorin e tretë, pas një tkurrjeje me 10.2% në të dytin dhe 2.5% në të parin.

Sipas tabelave zyrtare të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ishte 1.17 trilionë lekë (9.4 miliardë euro). Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ekonomia ka prodhuar rreth 90 miliardë lekë më pak.

Humbjet e shkaktuara nga pandemia i kanë kaluar 1 miliardë euro. Kjo është hera e parë, të paktën prej vitit 2009, kur INSTAT raporton të dhënat, që vlera e PBB është në rënie.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se tkurrja më e fortë ishte në tremujorin e dytë, minus 94 milionë euro në të parin dhe minus 130 milionë euro në të tretin.

Sektori më i goditur ka rezultuar tregtia, transporti, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor, që ka qarkulluar rreth 250 milionë euro më pak në krahasim me 9 mujorin. Sektori i dytë me rënien më të fortë është industria, minus 170 milionë euro, ku tkurrja më e madhe ishte në industrinë nxjerrëse.

Aktivitetet shkencore, profesionale, administrative dhe mbështetëse kanë qarkulluar rreth 90 milionë euro më pak. Më pak të goditura ishin shërbimet financiare, sigurimet, ndërtimi dhe bujqësia.

Rreth rënies ekonomike ka reagur dhe ministria e Financave, Anila Denaj, në emisionin “Top Talk” në Top Channel ku ka deklaruar se pritet një rënie ekonomike në vendin tonë.

“Në fund të vitit parashikojmë një reduktim në të ardhura në minus 60 miliardë lekë, diku tek 600 milionë dollar, deri në fundit të nëntorit është 56 miliardë lekë. Një e treta e kësaj diference është edhe nga shtyrjet e tatimeve që bëmë në ndihmë të bizneseve gjatë muajve të karantinës”, ka deklaruar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore