Shqipëria

Instagram-i, pasion apo biznes?


Viti 2020 do të mbahet mend gjatë si viti që ndryshoi rrënjësisht jetën e gjithsecilit. Përveç problemeve që tashmë dihen, u vu re një qasje e re e shoqërisë. Me pak fjalë, jeta u “elektronizua”.

Çdo nevojë dhe kërkesë u plotësua me një klik. Mjaft që të klikoje dhe kafen e kishe te dera e shtëpisë, edhe një klik tjetër dhe ushqimin e gjeje po aty.

Sigurisht, këto janë nevoja bazike, por përveç tyre tanimë e themi me plot gojë se pa teknologjinë nuk jetojmë dot. Ajo u kthye në mjetin më të përdorur.

Disa e shfrytëzuan edhe në ndërmarrje biznesi personal. Fillimisht, nisur nga pasioni dhe më pas gjendur përballë faktit i të qenit një biznesmen ose biznesmene.

E tillë është edhe shkodrania Griselda, 25 vjeç, e cila për Albanian Post (AP) rrëfen sesi pasionin për veshjet e ktheu në biznes.

Rioshja tregon sesi që 19 vjeçe nisi të shiste online veshje, të cilat nuk i përdorte më vetë, me një çmim minimal. Këtë e realizonte përmes Instagram-it.

“Në fillim hapa një faqe në Instagram, ku shisja rroba second hand nga gardëroba ime, por edhe të vajzave të qytetit tim, duke u mbajtur një përqindje të ulët. Vura re që blerësit ishin mjaft të interesuar, duke qenë se dhe çmimet qenë shumë ekonomike”.

Sigurisht, si çdo nismë, Griselda thotë për AP se nuk e ka pasur të lehtë. Ka hasur një sërë vështirësish. “Kishte raste kur blerësit, edhe pse kishin porositur, nuk e merrnin porosinë. Nuk më dilnin në orarin apo vendin e caktuar ose bënin kthime pasi masa e veshjeve s’ishte e duhura”.

Një ditë Griselda ia doli! Nga puna online, arriti që të hapte një dyqan, tashmë fizik. Por, pas katër vitesh, gjithçka do të përmbyset. Përballë pandemisë, u gjend e detyruar ta mbyllte dyqanin.

Kështu u detyrua ta niste nga pika zero. Iu rikthye sërish faqes në Insta dhe nisi të reklamonte dhe të merrte porosi online dhe pati sukses.

Por, me sa duket, medalja edhe këtë herë ka dy anë. Edhe atë të errëtën.

Doriana rrëfen për AP sesi u përball me sfidën e dështimit.

Pavarësisht përkushtimit, ju desh ta ndërpriste idenë për hapjen e dyqanit online. Ndoshta zgjodhi kohën e gabuar, duke qenë se krijoi një faqe online me rroba verën e vitit 2020. U gjend përballë pandemisë dhe mungesës së furnizimit me produktet.

“Zgjati shumë pak. Nuk kishte pothuajse fare shitje. Edhe pse jo e vështirë të bëhesha pjesë e sektorit, e pata të pamundur të mbijetoja”, thotë Doriana.

Fajin kryesor për dështimin e nismës së saj, ajo ia lë shtimit të operatorëve të rinj. “Furnitorët vendas nuk ishin në krahun tonë, pasi kostoja ishte shumë e lartë dhe fitimi shumë i ulët”.

Në këto kushte, 25-vjeçarja vendosi të hiqte dorë nga ky lloj biznesi online.

Iniciativën për shërbimet online e kanë ndërmarrë dhe të rinj të tjerë shqiptarë, të cilët janë cilësuar gjithmonë si e ardhmja e vendit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore