Lajme

Inokulimi i vaksinave, simptomat pas janë sinjal pozitiv


Ndërsa vaksinat e Covid-19 po shpërndahen dhe administrohen në të gjithë botën, një grup në rritje i përfituesve të tyre janë ankuar për efektet anësore, veçanërisht pas dozës së dytë.

Përfituesit përshkruajnë simptoma, nga ethet deri te lodhja, të cilat janë më të theksuara sesa efektet anësore nga një vaksinë gripi sezonal.

Këputja pas vaksinimit është përgjithësisht e padëmshme dhe zbehet pas një ose dy ditësh.

Çfarë efektesh mund të ndodhin?

Simptomat tipike përfshijnë një krah të lënduar, zakonisht të lokalizuar në zonën ku është bërë inokulimi, dhe simptoma sistemike, të tilla si ethe të lehta ose temperaturë e lartë, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh.

Disa studime kanë zbuluar se të rriturit më të rinj raportojnë reaksione të lokalizuara më shpesh sesa njerëzit mbi 65 vjeç.

Një lloj shqetësimi dermatologjik, i njohur si skuqje morbilliforme, u përshkrua te një punonjës 30-vjeçar i kujdesit shëndetësor, dy ditë pas vaksinimit të tij të dytë. Skuqja, e cila i mbulonte pjesën më të madhe të shpinës, u zgjidh vetë pas një dite.

A janë shqetësuese këto reaksione?

Reaksionet mund të jenë të pakëndshme, por zakonisht zgjasin pak dhe janë shumë më pak serioze sesa ato që shkaktohen nga një infeksion natyral. Vaksinat testohen gjerësisht për sigurinë para se të lëshohen.

Pasi shpërndahen për përdorim në shkallë të gjerë, ato monitorohen me rigorozitet në sistemet e mbikëqyrjes “post-marketing” për reaksione të papritura ose të rralla, që janë shumë të pazakonta për t’u kapur nga provat klinike.

Ndërsa reaksionet e padëshiruara ndaj një vaksine nuk janë të rralla, këto produkte nuk do të licencohen nëse efektet janë të rënda ose afatgjata.

Çfarë i shkakton reagimet ndaj vaksinave?

Vaksinat janë krijuar për të imituar një infeksion natyror pa sëmundjen e plotë, duke nxitur imunitetin mbrojtës.

Reaksionet zakonisht rezultojnë nga reagimi i sistemit imunitar ndaj përbërësit kryesor: një antigjen që i ngjan asaj që është krijuar për të luftuar.

Normalisht, kur trupi ndesh një bakter, virus ose ndonjë armik tjetër të mundshëm, mbrojtja imunitare kërkon ta neutralizojë dhe shkatërrojë atë.

“Kimikatet që tërheqin qelizat për të vrarë patogjenin lëshohen në një proces që mund të rrisë temperaturën e trupit”, tha Peter English, një konsulent në kontrollin e sëmundjeve ngjitëse në Mbretërinë e Bashkuar dhe një ish-redaktor i vaksinave në revistën Practice.

Një ushtri e gjerë e të ashtuquajturave qeliza T dhe qelizat B rekrutohen për të krijuar “memorie” të qëndrueshme të armikut dhe luftimit të tij.

“Kur mëson të njohë patogjenin, trupi kalon të njëjtat reaksione imunitare, si në rastin e infektimit të vërtetë, duke prodhuar shumë reaksione të ngjashme”, tha English.

Pse reagimet ndaj dozës së dytë janë më të përkeqësuara?

Duhet pak kohë që sistemi imunitar të përmirësojë përgjigjen ndaj një patogjeni të ri. Qelizat e memories imune janë të programuara, të atilla, që kur të hasin një pushtues për herë të dytë, qoftë nga një infeksion natyror ose antigjenë të vaksinës, ato janë të përgatitura për të reaguar më shpejt dhe më fuqishëm.

Kjo njohje zakonisht shkakton prodhimin në masë të molekulave të sinjalizimit imunitar ose “citokinave” që janë përgjegjëse për dhimbjet e muskujve, ethet, dridhjet dhe lodhjet që ndjejnë ndonjëherë përfituesit e dozës së dytë.

Përmbysja është se përballja e dytë vepron si një përforcues që duhet të rezultojë në një përgjigje imune më të fortë, më afatgjatë.

Si është reagimi për të mbijetuarit e Covid-19?

Reagimi i tyre ndaj vaksinës mund të jetë më i theksuar, por gjithashtu dhe përfitimet ka të ngjarë të jenë të tilla. Florian Krammer dhe kolegët e tij në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai në New York krahasuan efektet e vaksinave me ARN-në te njerëzit me dhe pa antitrupa para-ekzistues ndaj koronavirusit.

Studiuesit zbuluan se nivelet e antitrupave e atyre me imunitet paraprak ishin 10 deri në 45 herë më të larta se ato pa, në të njëjtat pika kohore pas dozës së parë të vaksinës.

Reagimet e lokalizuara ndaj vaksinës ndodhën me të njëjtën frekuencë në të dyja grupet, në kohën e vaksinimit dhe u zgjidhën spontanisht disa ditë më vonë.

Sidoqoftë, efektet anësore sistemike, të tilla, si: lodhja, dhimbja e kokës, të dridhura, ethe dhe dhimbje muskulore, ndodhën pas vaksinimit në 89% të atyre me imunitet para-ekzistues, krahasuar me 46% të vaksinave pa asnjë.

Përshtatur për Bloomberg nga Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore