Shqipëria

Informaliteti formal – mashtrimi i madh me pagat


Banka Botërore, në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, vë në dukje se informaliteti i punës është një fenomen i përhapur jo pak në Ballkan.

Shqipëria, në bazë të të dhënave, ka përqindjen më të lartë të mosdeklarimit të pagës reale, nga gjashtë vendet e rajonit, rreth 34% e totalit të të punësuarve.

Për rrjedhojë, ka një shmangie të lartë në këtë drejtim për pagesën e kontributeve dhe taksave të ardhura nga puna.

Sipas Bankës Botërore, ky punësim i fshehur, apo siç njihet ndryshe si “informaliteti i punës”, është i zakonshëm në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kategori përfshihen punësimi pa kontrata pune dhe mungesa e deklarimit të vërtetë të të ardhurave nga puna.

Për Albanian Post, eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj, thotë se ky fenomen vjen si pasojë e “presionit të lartë fiskal dhe taksimit të lartë nga ana e shtetit”.

Nga ana tjetër, Banka në analizën e saj shkruan se faktorët, që ndikojnë në rritjen e informalitetit, janë “mënyra se si administrohen taksat, ndryshimet e shpeshta në politikën tatimore dhe mungesa e besimit në institucione”.

Të tria këto, shton Banka, e prishin moralin e taksave dhe inkurajojnë bizneset të qëndrojnë joformale.

Arsyeja pse informaliteti është i vazhdueshëm dhe nuk po zhduket, është sepse taksa progresive në ekonomitë informale si Shqipëria “e favorizon këtë fenomen”, thotë Danaj.

Dëmi në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB)

“Përveç dëmit në ekonomi, ky fenomen ndikon negativisht në buxhetin e shtetit dhe PBB”, thotë eksperti.

Sipas Bankës Botërore, se raporti i taksave ndaj PBB-së së Shqipërisë është shumë poshtë mesatares rajonale.

Si rrjedhojë, krijohen mungesa në investime publike dhe paga më të ulëta të administratës publike.

Ndikimi negativ në PPB, sqaron Danaj, vjen sepse mosdeklarimi quhet evazion dhe sjell më pak të ardhura, qoftë nga ana e biznesit, por edhe e qytetarit.

“Sa më pak të ardhura, aq më pak investime publike, që direkt ndikojnë në uljen e shërbimeve nga ana e shtetit, shërbime shëndetësore dhe sociale. Ndikon po ashtu edhe tek ulja e fondit të pensioneve dhe rrezikon dështimin e sistemit të sigurimeve”.

Si luftohet informaliteti?

Sipas Danajt, mënyra më e mirë për të formalizuar ekonominë e Shqipërisë është vendosja e përkohshme, për dy apo tre vite, e taksës së sheshtë. Pra, shteti të bëjë politika për të ulur tatimin mbi të ardhurat.

Gjithashtu, ai shton se gjatë deklarimit të të ardhurave nga punëtorët me pagë, shteti duhet të marrë në konsideratë edhe kreditë së bashku me interesat e tyre, siguracionet e ndryshme, qiratë, shkollimin, shpenzimet shëndetësore, numri i pjesëtarëve të familjes etj.

Në këtë mënyrë, individi, nëse merr mbështetje nga shteti bazuar tek të gjitha këto të shkruara më sipër, nuk ka pse të mos tregojë të ardhurat e tij.

Edhe bizneset, argumenton Danaj, duhen favorizuar nëse i deklarojnë 100% pagat dhe fitimet.

“Atyre (bizneseve) duhet t’u lehtësohet ose rishikohet pjesa e kontratave. Sa më fleksibilitet, aq më mirë”, tha ai.

Banka Botërore shkruan se, për të luftuar informalitetin, politikat duhet të jenë të përshtatura, në mënyrë të tillë që “të piketohen më shumë faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë fenomen”.

Informaliteti rritet sepse është shpesh burim punësimi, në ato momente ka mangësi në punësimin formal, thuhet po ashtu në raportin e Bankës Botërore.

Prandaj, sqarohet më tutje, duhen politika që t’u krijojnë mundësi kompanive apo firmave formale që të bëhen më produktive dhe të rriten dënimet për ato firma që nuk deklarojnë fitimet.

Lufta kundër informalitetit, përfundoi Danaj, është argument shumë i gjatë që hap shumë diskutime dhe alternativa, “por fatkeqësisht, këtu asnjëherë nuk është parë me seriozitet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore