Financa

Inflacioni i Eurozonës bie në nivelin më të ulët që nga nisja e luftës në Ukrainë


Inflacioni i Eurozonës ka rënë më shumë se sa prisnin ekonomistët, duke arritur nivelin më të ulët që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më shumë se një vit më parë.

Çka ka forcuar shpresat se politikëbërësit monetarë mund të ndalojnë rritjen e normave të interesit këtë verë.

Çmimet vjetore të konsumit në bllokun e monedhës së vetme me 20 vende u rritën me 6.1 për qind në vit deri në maj, një rënie nga 7 për qind në prill, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Ky është niveli më i ulët që nga shkurti i vitit 2022 dhe ishte nën parashikimin prej 6.3 për qind nga ekonomistët në një sondazh të kryer nga “Reuters”.

Përcaktuesit e normave të Bankës Qendrore Evropiane janë të fokusuar në inflacionin bazë, i cili heq çmimet e energjisë dhe ushqimeve.

Kjo masë ra nga 5.6 për qind në prill në 5.3 për qind në maj, që është më shumë se sa prisnin ekonomistët, por mund të mos jetë ende e mjaftueshme për të bindur politikëbërësit që të ndalojnë rritjen e normave në takimin e tyre të ardhshëm më 15 qershor.

Referuar ekonomistëve, rënia e inflacionit bazë ishte kryesisht për shkak të ndikimit të prezantimit nga Gjermania të një bilete mujore të transportit publik të subvencionuar prej 49 euro, e cila frenoi rritjen e çmimeve të shërbimeve të transportit në të gjithë bllokun.

Tanimë, Banka Qendrore Evropiane ka rritur normën e saj të depozitave me një ritëm të paprecedentë nga minus 0.5 për qind korrikun e kaluar në 3.25 për qind në prill.

Investitorët po vënë bast se do të rrisë normat me një pikë tjetër çerek përqindjeje në takimin e ardhshëm pas dy javësh dhe një herë në korrik përpara se të ndalojë.

Sakaq, inflacioni ra në 18 nga 20 vendet anëtare të eurozonës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore