Pajisje

Industria kineze e teknologjisë përshtatet me realitetin e ri të Pekinit


Presidenti kinez Xi Jinping, i ka detyruar vitin e kaluar gjigantët vendas të internetit të punojnë për “prosperitet të përbashkët”.

Tanimë, goditjet e vazhdueshme në disa fusha të teknologjisë kanë përulur disa nga kompanitë më të suksesshme të Kinës, duke fshirë deri në 1.5 trilionë dollarë të vlerës së tregut të sektorit, tregon agjencia e lajmeve, Bloomberg.

Teksa disa presin që kompani të tilla si Alibaba Group Holding Ltd. ose Tencent Holdings Ltd. të bëhen ndërmarrje në pronësi të qeverisë, është e qartë se një transformim themelor është duke u zhvilluar në marrëdhëniet midis qeverisë, drejtuesve të kompanive dhe investitorët.

Sipas analistit Fergus Ryan, rregullatorët kinezë nuk janë të interesuar të kontrollojnë operacionet e përditshme të korporatave private, por ata po kërkojnë të sigurojnë që kompanitë të funksionojnë në përputhje me politikat industriale të Pekinit.

Bloomberg tregon se kompanitë e teknologjisë janë nën presionin e ri për të ndarë të dhëna të vlefshme dhe për t’u larguar nga tregtia e internetit në favor të teknologjive bazë që mund të ndihmojnë në izolimin e Kinës nga shkëputja me furnizuesit amerikanë.

“Drejtimi drejt të cilit po shkojmë është një lloj i ri kompanie kineze që nuk është as shtetërore dhe as private. Ata po bëhen entitete hibride që kontrollohen efektivisht nga shteti”, ka treguar Ryan

Një mënyrë se si qeveria mund t’i bëjë kompanitë e teknologjisë më pak autonome është duke i detyruar ato t’u japin më shumë aksione autoriteteve kineze, ku qeveria bën një investim që vjen me kontroll të rëndësishëm mbi vendimmarrjen e korporatave.

Shembulli më i spikatur ishte në prill, kur tre entitete shtetërore morën një aksion në Beijing ByteDance Ltd. Paçka se aksioni ishte me vlerë vetëm një për qind, ai erdhi me një vend bordi dhe të drejtën e vetos mbi operacionet e kompanisë dhe ofertat e produkteve.

Kështu, investitorët po mendojnë se si të merren me rrethanat në ndryshim.

Kompania japoneze SoftBank Group Corp., një nga investitorët më të mëdhenj të huaj të Kinës, do të jetë më e kujdesshme.

Shefi i saj i operimit, Marcelo Claure, ka thënë se “në asnjë mënyrë nuk do ta braktisim Kinën, thjesht do të jemi më të kujdesshëm”.

Tiger Global Management dhe IDG Capital, të cilët mbajnë aksione në startup-et e teknologjisë arsimore, duke përfshirë Zuoyebang dhe Yuanfudao, të cilat i janë nënshtruar veprimeve të ashpra rregullatore, kanë më pak rrugë të qarta për të fituar para.

Disa vëzhgues shqetësohen se goditja mund të pengojë inovacionin dhe të dobësojë ekonominë e Kinës. Dhe në vitin 2020, bizneset digjitale përbënin më shumë se një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto.

Optimistët parashikojnë më shumë një ndryshim në industri sesa një rënie, ravijëzon Bloomberg.

Kufizimi i mundësive financiare në sferën e internetit do të ndihmojë në kanalizimin e mendjeve më të ndritura të vendit drejt një kërkimi më themelor teknologjik, ka parashikuar Lillian Li.

Ndërkaq, ndryshimi do të ndihmojë në zvogëlimin e varësisë nga furnizuesit amerikanë çka është një përparësi kryesore për Xi dhe qeverinë e tij.

Në terma afatshkurtër, fushata e qeverisë po bën që sipërmarrësit të konsiderojnë ndryshime të mëdha.

Një themelues i startup-eve me bazë në Pekin, ka thënë se ai po e drejton biznesin e tij për t’u fokusuar në pajisjet inteligjente të shtëpisë. Kurse pronarë të tjerë të bizneseve kanë thënë se zyrtarët e partisë i kanë thirrur në mënyrë të përsëritur për t’u kujtuar atyre prioritetet e Pekinit.

Më 18 tetor, Xi ka pohuar se do të investonte në teknologji të rëndësishme strategjike si gjysmëpërçuesit dhe inteligjencën artificiale, ndërkohë që do të vazhdonte të forconte rregulloret për kompanitë e internetit.

Por një vit në fushatën e saj për të frenuar teknologjinë, ka gjithashtu shenja se qeveria e tij po zbut politikat agresive.

Armiqësia në rritje e Kinës ndaj kompanive të fuqishme të teknologjisë së sektorit privat ndoshta nuk duhet të ishte një tronditje, ka treguar Frank Tsai, një pedagog dhe themelues i firmës konsulente me bazë në Shangai, China Crossroads.

Sipas tij, Kina përdori tregjet e lira dhe mbikëqyrjen e dobët për të arritur një nivel të caktuar prosperiteti, por ka qenë e qëndrueshme në bindjen e saj se si do të kontrollonte menaxhimin e një prosperiteti të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore