Aplikacione

India pezullon dhënien e kartave nga Mastercard-i


Në Indi, banka qendrore ka ndaluar për një kohë të pacaktuar ofruesin global të shërbimit të pagesave, Mastercard, duke pezulluar dhënien e kartave të reja të debitit ose të kreditit për klientët vendas.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kjo ka ardhur pasi Banka e Rezervave në Indi ka akuzuar kompaninë për shkelje të ligjeve mbi ruajtjen e të dhënave.

Sipas bankës, Mastercard-i nuk ishte në përputhje me rregullat që kërkojnë rrjetet e kartave të huaja për të ruajtur të dhëna lidhur me pagesat indiane ekskluzivisht në Indi.

Nga ana tjetër, asnjë përgjigje nuk ka pasur nga ofruesi global i shërbimit të pagesave.

Gjithashtu është bërë me dije se Mastercard-i do të ndalohet të lëshojë karta debiti, krediti ose parapagimi për klientët në Indi nga data 22 e muajit korrik.

Mirëpo, ky vendim i marrë nga Banka e Rezervave nuk do të ketë ndonjë ndikim te klientët ekzistues të Mastercard-it.

Lidhur me shkeljen e ofruesit të shërbimit të pagesave, banka ka deklaruar se ajo kishte të bënte me një shkelje urdhri të vitit 2018, i cili drejtonte të dhënat e pagesave që do të ruheshin në Indi.

BBC shkruan se kjo do t’i lejonte rregullatorit “qasje mbikëqyrëse të pakufizuar” në detajet e pagesës.

“Pavarësisht nga kalimi i kohës së konsiderueshme dhe mundësive të duhura që u jepen, njësia ekonomike (Mastercard) është gjetur se nuk është në përputhje me udhëzimet e Ruajtjes së të Dhënave në Sistemin e Pagesave”, ka thënë banka qendrore në një njoftim.

Vitin e kaluar, Mastercard-i përbënte 33 për qind të të gjitha pagesave të kartave në Indi.

Kurse në vitin 2019, firma njoftoi një investim prej një miliard dollarësh gjatë pesë viteve të ardhshme si pjesë e planeve të saj të zgjerimit në Indi.

Ofruesit e shërbimeve të pagesave me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lobuar fort kundër direktivës së vitit 2018, duke thënë se një veprim i tillë do të rrisë kostot e tyre për të bërë biznes në Indi.

Por banka qendrore e Indisë nuk ka hequr dorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore