Gatimi

India, “parajsa e vegjetarianëve”


India njihet ndryshe si një nga vendet më të shenjta në botë.

Por, gjithashtu, ky shtet dita-ditës po shndërrohet në “parajsën e vegjetarianëve”, pasi për shkak të disa traditave fetare ndalohet shërbimi dhe konsumimi i mishit.

Një ndër qytetet interesante, i cili tërheq mjaft turistë, është Varanasi, i cili ndryshe njihet si “kryeqyteti shpirtëror i Indisë”.

I njohur si qyteti i Zotit Shiva, perëndia e krijimit dhe shkatërrimit, besohet se kushdo që vdes këtu, do të çlirohet nga cikli i rimishërimit.

Gjëja më interesante në këtë qytet mistik është se ritualet praktikohen në lumenj, ku mendohet se aty njerëzit mund të lajnë mëkatet.

I banuar që nga viti 1800 para Krishtit, Varanasi pretendohet të jetë një ndër qytetet më të vjetër në botë.

Çdo ditë, ndërsa zhurma e kambanave të tempullit jehon, dhjetëra mijëra besimtarë zbresin shkallët e qytetit dhe zhyten në lumin Gange për të larë mëkatet e tyre.

Megjithatë, Amrita Sarkar, e cila është pasionante e udhëtimeve dhe eksplorimit të gjërave të reja, tregon se shkoi atje për të zbuluar ushqimin unik vegjetarian të qytetit.

Varanasi mund të jetë kryeqyteti shpirtëror i Indisë, por nuk është saktësisht i njohur për joshjen e pelegrinëve të kuzhinës.

Shumica e turistëve, kur vizitojnë Indinë, shkojnë në Dehli, Kolkata ose Chennai përpara se të ndalen në Varanasi.

Megjithatë, kuzhinierët nga e gjithë bota kanë filluar të frymëzohen nga trashëgimia e kuzhinës, duke rikrijuar shijet e saj në restorantet e tyre.

Sigurisht, në një vend që është 80% hindu, restorantet vegjetarianë janë të kudogjendur në Indi.

Por ajo që e bën kuzhinën vegjetariane të Varanas-it kaq interesante, është sesi specialitetet e saj – si “menuja sattvic” një lloj ushqimi special indian – ndikohet nga ndjenja e fortë e spiritualitetit.

Një menu ‘sattvic’ bazohet te parimet e riteve fetare dhe u përmbahet standardeve më të rrepta të vegjetarianizmit të përshkruara nga Dharma Sanatana, formë absolute e hinduizmit.

Si i tillë, ndalon përdorimin e qepës dhe hudhrës në gatim, të cilat besohet se rrisin zemërimin, agresionin dhe ankthin.

“Pothuajse çdo familje hindu në Varanasi mban një objekt që i kushtohet Shivait në shtëpi. Të hash mish në shtëpi është e paimagjinueshme”, shpjegoi Abhishek Shukla, një shastri (prift) nga tempulli i famshëm Kashi Vishwanath të Varanasit.

“Mishi, qepa dhe hudhra përkeqësojnë gjendjen tonë”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore