Auto

India, ftesë për Tesla-n


Ministri i transportit në Indi, Nitin Gadkari, ka deklaruar se India është e gatshme të ofrojë stimuj për të siguruar që kostoja e prodhimit të Tesla-s të ishte më e ulët se në Kinë.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se këta stimuj do të jepen nëse kompania e automjeteve angazhohet në prodhimin e modeleve të saj elektrike në Azinë Jugore.

Deklarata e ministrit vjen pas një hapi që bëri disa javë më parë Elon Mask-u, shefi ekzekutiv i Tesla-s, duke regjistruar një kompani në Indi si një përpjekje për të hyrë në vend në mes të vitit 2021.

“Në vend që vetëm të montojnë në Indi, duhet që të bëjnë të gjithë produktin në vend duke punësuar tregtarët vendas. Në atë moment ne mund të ofrojmë koncensione më të larta”, ka thënë Gadkari gjatë një interviste. Mirëpo, ai nuk ka dhënë detaje lidhur me stimujt që do të ofroheshin.

Ministri ka shtuar gjithashtu se “qeveria do të sigurojë që kostoja e prodhimit për Tesla-n do të jetë më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të botës, madje edhe Kinën, kur të fillojnë të prodhojnë makinat e tyre në Indi”.

Reuters sqaron se lëvizja e Indisë është pasojë e dëshirës për të rritur prodhimin vendas të automjeteve elektrike, baterive apo përbërësve të tjerë në mënyrë që të ulen importet e kushtueshme dhe për të frenuar ndotjen.

“Kjo vjen mes një gare globale nga prodhuesit e makinave për të nisur prodhimin e makinave elektrike teksa punohet për uljen e emetimeve të karbonit”, shpjegon Reuters.

Por, kjo garë e Indisë përballet me një mospërgjigje të Tesla-s. Nga ana tjetër, tregu i ri i makinave elektrike në Indi është i vogël krahasuar me Kinën dhe gjithashtu vendi nuk disponon një politikë gjithëpërfshirëse ngjashëm si Kina, e cila mandaton kompanitë të investojnë në këtë sektor të industrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore