Shqipëria

Indeksi i Demokracisë: Shqipëria ka përmirësim


Sipas Indeksit të Demokracisë 2020, të botuar nga Njësia e Inteligjencës “Economist”, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka arritur të përmirësojë statusin e saj demokratik. Shumica e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë pasur rënie të demokracisë.

Serbia ka arritur rezultatin më të ulët mesatar që nga fillimi i llogaritjeve të Indeksit të Demokracisë në vitin 2006.

Ky indeks mat gjendjen e demokracisë bazuar në procesin zgjedhor dhe pluralizmin, funksionimin e qeverisë, pjesëmarrjen politike, kulturën politike dhe liritë civile. Vendet e vëzhguara klasifikohen më pas në katër kategori: demokraci e plotë, demokraci me të meta, regjim hibrid ose regjim autoritar. Ato vlerësohen nga 0-10. Shifra 0 tregon sistem totalitar dhe 10-a, demokraci e plotë.

Në rajonin e Evropës Lindore, që përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Shqipëria arriti të kalojë nga kategoria e “regjimit hibrid” në “demokraci e me të meta”. Vendi ynë e ka përmirësuar rezultatin e saj me 0.19 pikë.

Raporti thekson se përparimi i Shqipërisë u nxit nga rritja e mbështetjes publike për demokracinë. Gjithashtu, kanë ndikuar reformat zgjedhore të ndërmarra nga Qeveria. Kjo e fundit kërkon që Kodi Zgjedhorë i Shqipërisë, të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian (BE). Vendi po përgatitet për fillimin e negociatave për t’u pranuar në BE.

“Sidoqoftë, mbetet e paqartë nëse reformat do të rezultojnë në zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme”, thuhet në raport.

Shqipëria është ende nën mesataren rajonale në kategorinë “pjesëmarrje politike” me vetëm 4.44 pikë. Situata përmirësohet pasi vendi ynë ka normën mbi mesataren për “kulturën politike”, me 6.25 pikë.

Vendet e tjera të rajonit

Serbia, e cila bojkotoi në mënyrë të pjesshme zgjedhjet e vitit 2020, është prapambetësi më i madh në rajon me -0,19 pikë. Më pas vjen Maqedonia e Veriut me -0,08 pikë dhe Bosnjë-Hercegovina me -0,02 pikë. Mali i Zi arriti të përmirësojë rezultatin me 0.12 pikë por mbeti në grupin e regjimeve hibride.

Bosnja dhe Hercegovina ka arritur një rezultat relativisht shumë të ulët, 2.93 pikë në kategorinë “funksionimi i qeverisë”. Vendet e tjera të rajonit morën midis 5-6 pikë në të njëjtën kategori.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që u vlerësuan janë në grupin e demokracive me mangësi (Serbia dhe Shqipëria) ose regjime hibride (Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina).

Nga 167 vende e vëzhguara, Serbia renditet e 66-ta, Shqipëria e 71-ta, Maqedonia e Veriut e 78-ta, Mali i Zi i 81-ta, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina është e 101-ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore