Shqipëria

Incidenti në QSUT/ ISHMT: Nuk është kryer regjistrimi i ashensorit në bazë të ligjit


Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me strukturat e tjera ligj zbatuese, është angazhuar për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në QSUT, ku si pasojë e një problemi në funksionimin e ashensorit janë plagosur dy persona.

Po ashtu po merret me përcaktimin e shkaqeve dhe marrjen e masave me qëllim mos përsëritjen e ngjarjeve që cenojnë sigurinë e qytetarëve.

Në bazë të inspektimit të kryer nga ISHMT, rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar.

Mirëpo, nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo-ushqimore”, i ndryshuar.

Në bazë të ligjit, personi përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve.

Ai, pas kryerjes së ekzaminimit fillestar, ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së.

“Kontrollet për sigurinë e ashensorëve kanë qenë një ndër prioritetet e veprimtarisë së Inspektoriatit të Mbikëqyrjes së Tregut, ku vetëm për vitin 2021 janë kryer 336 inspektime, ndërkohë që numri i ashensorëve të regjistruar është 1 mijë e 429”, deklaron inspektorati.

ISHMT gjithashtu “ka informuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha grupet e interesit mbi detyrimet ligjore që duhet të përmbushen lidhur me sigurinë e ashensorëve”.

“ISHMT iu bën thirrje të gjithë personave përgjegjës të kryejnë procedurën e regjistrimit të ashensorëve pranë këtij institucioni, ashensorët e rinj që instalohen për herë të parë, por edhe ashensorët që janë në përdorim”, vijon deklarata.

E gjitha në mënyrë që të garantohet që ashensorët në përdorim për të tretët apo publikun e gjerë të jetë në përputhje me kërkesat e sigurisë së produktit/instalimit të vënë në shërbim gjatë gjithë periudhës së përdorimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore