Zgjedhjet në Shqipëri

Ilir Meta: Partitë politike të shfaqin maturi dhe qetësi


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dalë në një prononcim për mediat në momentet e fundit të numërimit të votave.

Ai u ka bërë thirrje përfaqësuesve të partive politike për qetësi dhe maturi, derisa të mbarojë procesi i numërimit të votave.

“Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.

Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi”.

Kreu i Shtetit gjithashtu shtoi se sfida e tij më e madhe ishte që “Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik”.

“Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ia arrita, që 25 prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës”, tha ai.

Kujtojmë se presidenti Meta ka deklaruar më parë që, nëse kryeministri Rama do merrte më shumë së 71 mandate, do ta dorëzonte mandatin e presidencës.

“Nëse Rama merr më shumë se 71 mandate në mënyrë demokratike, do t’i jap edhe mandatin e presidencës”.

Deklarata e presidentit Meta

“Më 25 prill, ju e shprehët me votë vullnetin për të zgjedhur përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë.

Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit.

Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi.

Sfida ime madhore, sidomos këto dy vitet e fundit, ka qenë që Sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik.

Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ia arrita, që 25 prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës.

Ndonëse dukej një sfidë e pamundur, jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit.

Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe, më pas, të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 prillit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore