Lajme

IKSHPK thirrje qytetarëve: Mbani maskën në ambientet e mbyllura dhe vaksinohuni


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, pas rritjes së rasteve me COVID-19, ka apeluar te qytetarët të bartin maskat në ambiente të mbyllura.

Kështu është shprehur IKSHPK-ja përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ju lutemi bartni maskat në ambiente të mbyllura dhe  vaksinohuni! Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja të COVID-19 me tendencë të rritjes ditët në vijim. Fatmirësisht nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Tutje, IKSHPK ka thënë se raste pozitive me Coronavirus po shënohen edhe në botë.

“Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”.

Ndër të tjera, ka shtuar se testime po vazhdojnë të bëhen në këtë institut.

Klinika Infektive.

“IKSHPK është duke vazhduar pa ndërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”.

MSh dhe IKSHPK  rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të  vaksinohen kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka raportuar se brenda 24 orëve, janë regjistruar 177 raste pozitiv me COVID-19.

Numri i të infektuarve vjen nga 986 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 486.

Brenda 24 orëve të fundit, në Kosovë janë vaksinuar 70 persona.

Numri i personave të vaksinuar me dozën e parë arrin në 903 mijë e 426, kurse numri i të vaksinuarve me të dy dozat është 823 mijë e 716.

Ndryshe ditëve te fundit ka një rritje të rasteve pozitive me Coronavirus në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ishte shprehur i shqetësuar lidhur me rritjen e rasteve me COVID-19 kohëve të fundit në vendit tonë.

Derisa u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, ai paralajmëroi se shumë shpejt në vendin tonë do të nis edhe vaksinimi anti-COVID me dozën e katërt.

Latifi po ashtu bëri të ditur se për Komiteti do të takohen për të diskutuar për masat që duhet ndërmarrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore