Lajme

Ikonat e revolucionit të Egjiptit në 2011: Ku janë tani?


Wael Ghonim ishte në Dubai kur krijoi një faqe në Facebook të quajtur “Ne jemi të gjithë Khaled Said”. Ghonim e njihte Saidin, një bloger 28-vjeçar i cili u rrah për vdekje nga policia. Faqja luajti një rol organizues në protestat e janarit. Që nga viti 2014, Ghonim ka jetuar në SH.B.A. 40 vjeç, komentet e tij në internet japin një panoramë zhgënjyese për situatën në Egjipt.
Avokatja e të drejtave të njeriut, Mahienour el-Masry ishte një nga të parat që protestoi për vdekjen e Said. El-Masry, 35 vjeçe, është arrestuar disa herë dhe ka kaluar disa vjet pas hekurave. Në vitin 2019, ajo u arrestua përsëri pasi shkoi në zyrën e prokurorit të shtetit për të mbrojtur të arrestuarit. Deri më sot, çështja e saj ende nuk është shqyrtuar dhe ajo vazhdon të jetë në burg.
Alaa Abdel-Fattah dhe gruaja e tij themeluan një blog në 2004 për të mbështetur aktivistët lokalë, pasi ai ishte arrestuar shumë herë. Pas pesë vitesh burg, ai u la i lirë në mars të vitit 2019, për t’u arrestuar përsëri atë shtator. Ai mbetet në burg. Amnesty International ka thënë se ai dhe avokati i tij i janë nënshtruar torturave në burg.
Ahmed Maher ishte bashkëthemelues i lëvizjes së 6 prillit, e filluar në 2008 në Facebook në mbështetje të punëtorëve egjiptianë të cilët planifikuan të bënin grevë atë ditë. Lëvizja ndihmoi në organizimin e protestave të janarit 2011. Si shumë aktivistë të tjerë, Maher, 40 vjeç, u arrestua disa herë. Në fund të vitit 2013, ai u dënua me tre vjet të tjera, më pas u la i lirë në 2017. Lëvizja e 6 prillit u shpall e jashtëligjshme në 2014.
Esraa Abdel-Fattah u bë e njohur si “Facebook Girl” e Egjiptit për shkak të transmetimeve të saj të drejtpërdrejta gjatë protestave. Ajo u nominua për një Çmim Nobel për Paqen në 2011. Ajo u arrestua disa herë dhe u tërhoq nga politika. Por në tetor 2019 ajo u arrestua përsëri. Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për lirimin e saj, 43-vjeçarja mbetet në burg sot.
Ahmed Douma ishte ndër protestuesit e parë në Kajro më 25 janar 2011. Ai njihej në Egjipt sepse ishte arrestuar nga çdo administratë egjiptiane në vitet e fundit. Në 2019, ai u dënua me 15 vjet në një burg të sigurisë maksimale dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 335 mijë dollarësh për, ndër të tjera, përdorimin e forcës kundër oficerëve ushtarakë. Douma, 32 vjeç, mbetet në burg.
Një javë para protestës së 25 janarit, Asmaa Mahfouz postoi një video në mediat sociale duke bërë thirrje që të tjerët të bashkohen me të në demonstratë. Ajo u pa nga miliona njerëz dhe vlerësohet se ka frymëzuar shumë. Mahfouz nuk është burgosur, megjithëse asaj i ndalohet të udhëtojë jashtë Egjiptit. Nëna e vetme 35-vjeçare tani përqendrohet te dy fëmijët e saj dhe është larguar nga polemikat politike.
Mohammed el-Beltagy, 53 vjeç, ishte një anëtar i vjetër i Vëllazërisë Myslimane, një grup i fuqishëm islamik dhe u bë pjesë e qeverisë pasi partia e Vëllazërisë fitoi zgjedhjet e 2012. Pas marrjes së pushtetit nga ushtria në 2013, ai u burgos përjetë, ku vazhdon akoma sot. Në vitin 2019, familja e tij tha se shëndeti i tij po përkeqësohej.
Mohamed ElBaradei, 78 vjeç, filloi me trupin diplomatik egjiptian në 1964 dhe kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij jashtë shtetit. Më 27 janar 2011, ai u kthye në shtëpi. ElBaradei vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në disa parti të opozitës dhe u bë zëvëndëspreseindeti i përkohshëm i Egjiptit në 2013. Por ai dha dorëheqjen pas një muaji, pas masakrës së mbi 500 mbështetësve të Morsi-t. Më pas, u kthye në Vjenë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore