Lajme

IKD: Specialja ka treguar mosefikasitet në misionin e saj


Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, të martën ka publikuar raportin nga monitorimi i punës së Gjykatës Special, sipas kësaj organizate kjo gjykatë ka treguar mosefikasitet në kryerjen e misionit të saj.

“Përderisa në të parën vetëm një vit pas themelimit është ngritur aktakuza e parë, ZPS-së i janë dashur pothuajse pesë vjet nga themelimi që të ngritë aktakuzat e para pa i numëruar këtu edhe kohën nga krijimi i Task Forcës Hetimore speciale që kishte funksionuar brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës nga vitit 2011”.

Sipas IKD-së, në krahasimin e bërë mes Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, vihet re një disproporcion i madh kohor i ndërmarrjes së veprimeve nga këto dy institucione.

“Derisa në Gjykatën Speciale gjykimi i parë ka filluar tek më 15 shtator 2022, 6 vjet pas themelimit, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi nga viti 1996 deri në vitin 2004, pra për një periudhe kohore prej tetë vjetësh kanë përfunduar në shkallë të parë tetë raste”, thuhet ndër të tjera në raportin e publikuar nga IKD.

Ish-krerët e UÇK-së.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, janë duke u mbajtur në paraburgim disa prej ish-krerëve të UÇK-së, ndërkohë dy ish-udhëheqësit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim për “pengim të drejtësisë”.

Ndryshe, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, më 4 korrik do të jetë në Kosovë për të marrë pjesë në një ngjarje të organizuar në Gjilan me shoqërinë civile për të ofruar informata për mandatin, punën dhe vazhdimësinë e Gjykatës Speciale.

Ajo gjithashtu do pranoj pyetje gjatë gazetarëve në këtë takim.

Lajmin e kanë bërë të ditur Dhomat e Specializuara të Kosovës, përmes njoftimit dërguar mediave.

“Më 4 korrik 2022, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës Ekaterina Trendafilova do të jetë në një ngjarje në Gjilan me shoqërinë civile për të ofruar informata për mandatin, punën dhe vazhdimësinë”.

“Ky takim interaktiv organizohet si pjesë e programit Outreach të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” pretendon se të njëjtit kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore