Sport

IFAB-i po studion zgjatjen e pushimit mes pjesëve të lojës


Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) po studion mundësinë e zgjatjes së intervalit të pushimit mes dy pjesëve të lojës në futboll. Intervali i tanishëm është 15 minuta, ndërkohë po kërkohet që të bëhet 25 minuta.

Propozimi i shtimit të intervalit kohor mes pjesëve erdhi nga CONMEBOL-i, organi më i lartë i futbollit në Amerikën e Jugut.

CONMEBOL-i e hodhi idenë pasi rregulli i shtatë i lojës nga IFAB-i thotë se “lojtarët kanë të drejtë për një interval jo më shumë se 15 minuta”. Më shumë kjo ide kërkohet të vihet në zbatim në kompeticione si Copa Libertadores.

Sidoqoftë, një përpjekje e tillë është bërë edhe më parë. Në vitin 2009, IFAB-i refuzoi kërkesën për të rritur kohën e pushimit mes pjesëve të lojës nga 15 në 20 minuta.

Kërkesa e CONMEBOL-it do të paraqitet në mbledhjen e ardhshme të IFAB-it, që do të mbahet më 27 tetor të këtij viti.

Përveç çështjes së lartëpërmendur, pritet që të ketë diskutime edhe për disa pika të tjera që prekin futbollin aktual. Nga numri i zëvendësimeve, te zëvendësimet për dëmtimet e rënda, VAR-i e shumë të tjera, do të jenë në fokusin e takimit të 27 tetorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore