Lajme

Ideologu i UÇK-së që ngjizi idenë e luftës, kur pjesa më e madhe i frikësohej ballafaqimit – biseda të pazbuluara më parë


UÇK

Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ekspozoi vetën si ushtri në vitin 1997, por rrënjët janë shumë më të thella.

Shumë dihet për UÇK-në pas 97-së, por pak para saj.

Po kaq pak dihet edhe për ideologun e kësaj ushtrie-lëvizje, Xhavit Haziri.

Në një shkrim të gjatë të publikuar për demonstratat e 1 tetorit 1997, gazetari Baton Haxhiu, në një pjesë të tekstit tregon disa të panjohura për Hazirin.

Kush ishte Xhavit Haziri?

Xhavit Haziri ishte një veprimtar i rrallë idealist, i guximshëm dhe i vendosur, shkruan Haxhiu.

Ai ishte nga Vushtrria dhe një prej themeluesve të UÇK-së. Kishte mbledh afër vetes idealistët dhe djem të rinj, të gatshëm për flijim.

Xhavit Haziri

Këtë organizim me këtë përmbajtje dhe me këta njerëz të besueshëm, e kishte bërë që nga viti 1992, i sapo dalë nga burgu i Mitrovicës. Kishte qëndruar në burgun e Mitrovicës së bashku me Nait Hasanin.

Xhavitin, si ish i burgosur politik, e kisha takuar në një zyrë në Kodrën e Diellit.

Haxhiu tregon edhe disa ndodhi nga takimet me Hazirin në hapësirat ku flitej për një alternativë tjetër, përtej asaj që njihej si “rezistenca paqësore.

“Dukagjin Gorani dhe shoku i tij Dardani kishin hapur një zyrë kontabiliteti për të kryer punë sa për të mbijetuar kohën e vështirë të viteve, pas largimit të gjithë punëtorëve nga puna. Dugi kishte njohje me Xhavitin. Ishte viti 1992”, shkruan Haxhiu.

“Unë, gati, çdo ditë kaloja për një takim të shkurtë tek Dugi në zyrë pasi kisha përfunduar punët në redaksinë ‘Bota e re’.

“Meqë po bëja përgatitjen e një libri  ‘Kosova dhe Ruleti ndërkombëtar’, në zyrën e Dugit, ndërkohë, po bëhej çdo ditë e me i nxehtë diskutimi. Demonstratat, kryengritja e armatosur dhe dëshira e Xhavitit për flijim ishte tema kryesore e debatit në zyrën e Dugit, i cili po i bënte gati disejnin e gazetës ‘Vatra’, që Xhavit Haziri e shpërndante me grupin e tyre”.

Në 92-tën kishte një rezistencë pasive të organizuar mjaftë mirë. Një qëndrueshmëri e qytetarëve, por, gjithashtu kishte mundësi të krijoheshin kushtet për një rezistencë që i jepte mundësi veprimi kësaj lëvizje.

“Xhaviti ishte natyrë e butë. Fliste ngadalë por ashpër. Mbante kursin e tij kundër Serbisë dhe pushtetit të LDK-së”, shkruan Haxhiu duke përshkruar Hazirin.

“Ishte kundër deklaratave boshe, sepse vuajtjet që ai kishte përjetuar në burg nuk e lënin të jetë i qetë. Nuk i jepnin asnjë motiv me ecë tutje pa luftën për liri”.

Qytetarët rriheshin, vriteshin, shpërnguleshin dhe secili prej tyre kërkonte si të ikë ose te gjen një strehim diku.

“Pse duhet të rrimë duarkryq?”, thoshte Xhaviti, kur nuk kishte shkolla, dhe me 3 shtator 90’tës punëtorët u larguan nga puna, mbas grevës që ishte organizuar nga sindikata e udhëhequr nga Hajrullah Gorani.

“Kjo është koha, dhe gjithë këto ishin një pjesë e përgatitjes e një terreni për një rrethanë të caktuar, për një kohë të caktuar të afërt”, ishte këmbëngulës ai më qëndrimin e tij.

Gjithë lëvizja paqësore në Kosovë, mbante deklarata për shtyp çdo të premte dhe tregonte:  u vranë kaq, u rrahën kaq, u dhunuan kaq, edhe kërkesa: “ju lutem të keni durim dhe besoni në lëvizjen paqësore, edhe mos ta prishim sistemin e ndërtuar demokratik”, thoshte Rugova.

Me një poshtërim të tillë, me shtypje deri në atë pikë, ishte absurde të thuhej se kishte mundësi të kishte sistem demokratik.

“Kur je i poshtëruar, duhesh të përgatitesh sistemin për luftë për mbrojtje për çlirim”, ligjëronte Xhaviti.

Ushtaret e UCK-se

Kishte një adhurim për Hajrullah Goranin sepse e shihnin si të tyre dhe e pëlqenin për veprimin radikal që kishte ndërmarrë me 3 shtator.

Gjatë pushtimit duhet të humbësh gjithçka për ta kuptuar se je i okupuar. Këta të LDK-së bëjnë sikur janë në një sistem demokratik dhe jetojnë me pushtuesin në paqe, mbante ders Xhaviti, tregon në shkrimin e tij një tjetër pjesë të ligjërimit të Xhavit Hazirit.

“Ka qenë edhe një vend tjetër debati me Xhavit Hazirin, një kafe në Bodrumin, brenda shtëpisë së Halil Alidemajt, një tjetër i burgosur politik, në Kodrën e Diellit, që mbante njerëz pasionantë të politikës, që donin dhe bënin po kaq shumë ligjërim politikë.

“Halil Alidemaj, një mik i babait tim, i burgosur politik, rrinte në një divan dhe mbante po ashtu ders duke bindur grupin e të rinjve se vetëm lufta e shëron poshtërimin. Herë pas here Dugi kishte diskutime të zjarrta në terasën e Halil Alidemajt. Dhe kundërshtonte logjikën e luftës pa strategji”.

Disa muaj më vonë nga këto diskutime, Haxhiu tregon se Xhaviti ishte burgosur.

“Vetëm një idealist që besonte në fitore, që besonte se s’ka kuptim poshtërimi, duke qenë se gjithçka kishte marrë fund, dhe flitej kot për një marrëveshje sepse e gjithë shpura politike (ashtu i quante LDK-istët) , udhëhiqej gjithandej nga një gjeneratë frikacakësh, po merrte fund”.

Njerëzit e LDK-së dhe Jugosllavët po na frikojnë, thoshte Xhaviti, duke akuzuar ata se po trumbetojnë dhe ndjellin frikë të të gjithë, se Jugosllavia ishte shumë e fortë ushtarakisht dhe se beteja nuk mund të fitohej.

Kjo nuk po frikonte Xhavit Hazirin dhe grupin e tij të cilët kishin vuajtur shumë në burgun serb.

Një ditë po lexonim se ai (e kisha unë në mendje) dhe shumë të tjerë po kryenin aksionet e para në gjithë Kosovën.

Ndërkohë, edhe organizimi i një proteste ishte rrugës.

Grupi që kishte marrë përsipër organizimin e një vale të re protestash në Universitet kishte pësuar dëmtim të rëndë.

Lexojeni shkrimin e plotë për atë që i parapriu demonstrimit masiv të 97-së.

Demonstratat e 1 tetorit 1997 – Fitorja e Guximshme e LPK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore