Lajme

Ideologjia e Trump-it kërcënon demokracinë amerikane, thotë Biden


Për presidentin amerikan Joe Biden, mbështetësit e agjendës së Donald Trump “Make America Great Again” (Maga) janë kërcënim për demokracinë.

“Forcat Maga janë të vendosura ta kthejnë këtë vend prapa”, ka thënë ai në një fjalim në Pensilvani.

Kurse republikani Kevin McCarthy ka reaguar duke thënë se Biden-i kishte “plagosur rëndë shpirtin e Amerikës”.

Këto reagime vijnë dy muaj përpara zgjedhjeve afatmesme, të cilat do të vendosin balancën e pushtetit në Washington.

Biden ka shtuar se nuk po dënonte 74 milionë amerikanët që votuan për Trump-in dy vjet më parë. “Jo çdo republikan, madje as shumica e republikanëve, nuk janë republikanë Maga”, ka thënë ai.

“Por nuk ka dyshim që partia republikane sot është e dominuar, e drejtuar dhe e frikësuar nga Donald Trump-i dhe republikanët Maga, dhe ky është një kërcënim për këtë vend”, ka theksuar Biden.

Sipas presidentit, mbështetësit e Trump-it menduan për turmën që sulmoi Capitol-in e SHBA-ve vitin e kaluar si patriotë dhe jo si kryengritës.

“Për një kohë të gjatë i thamë vetes se demokracia amerikane është e garantuar. Por nuk është. Ne duhet ta mbrojmë atë. Secili prej nesh”, ka vazhduar ai.

Presidenti, i cili erdhi në detyrë duke u zotuar për të bashkuar vendin, së fundmi ka mprehur retorikën e tij kundër mbështetësve të Trump-it.

Javën e kaluar, Biden barazoi atë që ai i quajti republikanët ekstremë me “gjysmë-fashistë”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore