Sport

Ide e çmendur nga Argjentina, kërkojnë që zemra e Maradona-s të udhëtojë me ta në Katar


Kanë kaluar 36 vite kur kombëtarja e Argjentinës fitoi Kupën e Botës në vitin 1986, atëherë kur të inspiruar nga legjenda Diego Armando Maradona mposhtën në finale Gjermaninë Perëndimore me rezultat 3:2.

Tashmë kombëtarja ameriko-latine do të merr pjesë edhe në Kupën e Botës në “Katar 2022”, derisa ata po mendojnë në një mënyrë të inspirohen përsëri nga Maradona.

Legjenda argjentinase u nda nga jeta më 25 nëntor të vitit 2020, derisa bashkëvendasit e tij kanë një ide të ‘çmendur’ për të pasur përkrahjen e tij.

Vlerësimi për Maradona-n ishte në nivelet më të larta, andaj zemra e tij ruhet sot e kësaj dite në Departamentin e Anatomisë Patologjike në Buenos Aires.

Ideja më e fundit që është propozuar nga ana e një agjencie e cila merret me krijimin e videove publicitare, është ajo e zhvendosjes së zemrës së Maradona-s në Katar së bashku me kombëtaren e Argjentinës.

Drejtori i kësaj agjencie, Javier Mentasti është i bindur se nëse Maradona do të ishte gjallë, atëherë ai do të udhëtonte drejt Katarit, ndaj mendojnë ta realizojnë këtë në një mënyrë ndryshe.

“Ne kërkojmë të përmbushim atë që do të ishte ëndrra e tij, ne duam që zemra e Maradona-s të udhëtojë me kombëtaren drejt Katarit”, tha Mentasti.

“Duam që zemra e tij të jetë pranë kombëtares, të jetë në udhëtim me ta, në dhomat e zhveshjes apo edhe në fushë dhe nëse Zoti dhe Maradona duan, atëherë mund të fitojmë Kupën e Botës pas një pritje të gjatë”, u shpreh Mentasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore