Lajme

ICC nis hetim për krimet e luftës në territoret palestineze


Prokuroja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale  (ICC), Fatou Bensouda, i ka nisur hetimet për krime lufte në territoret palestineze.

Në shkurt, ICC-ja vendosi se ka juridiksion mbi situatën në territoret palestineze të okupuar nga Izraeli.

Bensouda, në një deklaratë, tha se hetimi do të kryhet “në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe objektive, pa frikë ose favor”.

Gjykata synon t’i hetojë incidentet që ndodhën gjatë luftës në Gaza, në 2014-ën midis Izraelit dhe Hamasit.

Çështja mund të zgjerohet gjithashtu për të përfshirë vrasjet e pretenduara nga ushtarë izraelitë të më shumë se 200 palestinezëve.

ICC-ja është shprehur se kishte një “bazë të arsyeshme”, për të besuar se autoritetet izraelite kishin kryer krime lufte, duke lëvizur civilë izraelitë në Bregun Perëndimor për të jetuar në vendbanime.

Sipas konventës së Gjenevës, të nënshkruar pas Luftës së Dytë Botërore, transferimi i civilëve në tokë të okupuar është i ndaluar.

Kryeministri i Autoritetit Palestinez, Mohammed Shtayyeh, më herët vlerësoi vendimin e ICC si një “fitore për drejtësinë dhe njerëzimin”.

ICC-ja është gjykatë e përhershme, me qasje universale për të bërë të mundur gjykimin e autoriteteve më të larta përgjegjëse për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krimeve të gjenocidit, si dhe për të luftuar mungesën e ndëshkimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore