Lajme

ICC-ja pezullon përkohësisht hetimin e Duterte-s për ‘luftën kundër lëndëve narkotike’


Presidenti filipinas Rodrigo Duterte

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka pezulluar përkohësisht hetimin e saj për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut të kryera gjatë fushatës së presidentit filipinas Rodrigo Duterte në luftën kundër lëndëve narkotike ilegale – duke lënë të vdekur mijëra njerëz.

Ambasadori i Filipineve Eduardo Malaya kërkoi një shtyrje të hetimit, duke shtuar se qeveria filipinase po hetonte abuzimet e supozuara, sipas dokumenteve të gjykatës.

Prokurori i ICC-së, Karim Khan, tha se prokuroria pezulloi aktivitetet e saj hetimore ndërsa shqyrtoi kërkesën për shtyrje. Ai tha se ata do të kërkonin informacion shtesë nga qeveria filipinase.

ICC-ja autorizoi një hetim të plotë në fushatën e Duterte-s në “luftën kundër drogës” në shtator.

Mbështetësit e kryebashkiakes së qytetit Davao, Sara Duterte, vajza e presidentit të Filipineve Rodrigo Duterte, duke brohoritur jashtë Komisionit për Zgjedhjet në Manila, Filipine, të hënën, 15 nëntor 2021.
Grupet e të drejtave të njeriut kritikojnë pezullimin

Organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch” hodhi poshtë pretendimin e Filipineve se mund të sillte drejtësi për qytetarët e saj, duke e quajtur nocionin e kryerjes së hetimit “absurd” dhe një përpjekje për të shmangur hetimin e ICC-së

Brad Adams, drejtori i organizatës për Azinë, tha se realiteti është se, “mosndëshkimi është normë nën Presidentin Duterte, kjo është arsyeja pse ICC-ja duhet të hetojë”.

Adams shtoi se vetëm disa nga vrasjet po hetoheshin në fazat e hershme nga qeveria e filipinasve dhe se “megjithatë shumë raste të qarta të vrasjeve”, nuk ishte ngritur asnjë akuzë.

Unioni Kombëtar i Avokatëve të Popullit, i cili përfaqëson një numër familjesh viktimash, tha se hetimi i Gjykatës ishte shpresa e vetme për klientët e tyre për të parë drejtësinë.

Sektori fetar gjithashtu po bën thirrje për drejtësi për mijëra viktimat e vrarë në të ashtuquajturën luftë të Presidentit Rodrigo Duterte kundër drogës.
Pse po hetohet Duterte?

ICC-ja, së bashku me grupet e tjera të të drejtave, kanë kritikuar ashpër fushatën e përgjakshme kundër narkotikëve të Duterte-s.

Në shtator, ICC-ja tha se kishte arsye të mjaftueshme për të besuar se krimet kundër njerëzimit ishin kryer gjatë goditjes së drogës nga Duterte që kur ai mori detyrën në vitin 2016.

Gjykata me bazë në Hagë nisi fillimisht një hetim paraprak për abuzimet e të drejtave në shkurt 2018-të, pasi një avokat filipinas paraqiti një ankesë në gjykatë, duke akuzuar Duterte-n për kryerjen e “praktikës më të mirë” të vrasjes në shtypjen e tij.

Duterte tërhoqi Filipinet nga ICC-ja në vitin 2019-të, duke thënë se ai ishte objekt i sulmeve të pabaza nga zyrtarët e OKB-së.

Të afërmit e njerëzve të vrarë gjatë fushatës së qeverisë “lufta kundër drogës” performojnë në skenë përpara një fotografie të presidentit të Filipineve Rodrigo Duterte në një shkollë në Manila metropolitane, Filipine të mërkurën, 4 mars 2020.

Megjithatë, ICC-ja mbante ende juridiksionin për të hetuar krimet e kryera midis 2016-ës dhe 2019-ës.

Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 6 mijë e 181 njerëz janë vrarë në më shumë se 200 mijë operacione kundër drogës që nga korriku 2016.

Prokurorët e Gjykatës vlerësojnë se shifra e vdekjeve është midis 12 mijë dhe 30 mijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore