Sport

Ibrahimoviç-i nuk njeh moshë


Sulmuesi i Milan-it, Zlatan Ibrahimoviç-i ka shënuar një dy golësh në fitoren përballë Cagliari-t. Gjigani suedez, ka arritur tashmë në kuotën e 12 golave në kampionat dhe një asist, në tetë ndeshje të luajtura. Ndërkohë që në 10 ndeshje të tjera nuk ka qenë prezent për shkak dëmtimi ose infektimi me Covid-19.

Mosha për Ibrahimoviç-in është thjeshtë një statistikë dhe këtë e ka treguar mbrëmjen e së hënës. Ndeshjen e fundit që Ibra e fillonte titullar, ishte ndaj Napoli-t. Ndeshje në të cilën shënoi dopiet. Në fakt, në tetë ndeshjet e luajtura, Ibra ka realizuar pesë dopieta.

39-vjeçari, golin e parë në përballjen me Cagliari-n e shënoi nga pika e bardhë e 11m. Penallti të cilën e fitoi dhe e shëndroi në gol, po vetë, në minutën e 7’ të takimit.

Golin e dytë Ibra e shënoi në minutën e 52’ të takimit, pas një asisti nga Davide Calabria. Gol që pas konfirmimit në VAR u akordua si i tillë.

Me 12 golat e shënuar suedezi është në listen e golashënuesve më të mirë të kampionatit. Tre gola më pak se Cristiano Ronaldo dhe barazim me Ciro Immobile-n dhe Romelu Lukaku-n.

Në përfundimin e ndeshjes, me dy golëshin e arritur, Ibra u shpall lojtari i ndeshjes. Sipas Sofascore-s nota e Ibrës për lojen e zhvilluar ndaj Cagliari-t ishte 8.9.

Me fitoren e sotme falë Ibrës, Milan-i qëndron më i sigurt në vendin e parë të renditjes së Serisë A. Tre pikë më shumë se kushërinjtë e Inter-it, që pas fitores ndaj Juventus-it, janë një kërcënim serioz në luftën për titull./ AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore