Shqipëria

Ibrahimaj takohet me CEO-n e Fondit Saudit për Zhvillim


Ministrja shqiptare e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka zhvilluar një takim gjatë së martës me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Saudit për Zhvillim (SFD), Sulltan bin Abdulrahman Al-Murshed.

Gjatë takimit, sipas mediave saudite, u diskutua për çështje me interes të përbashkët dhe për projektet e zhvillimit të SFD-së në Republikën e Shqipërisë.

Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Sami Shiba.

Gjatë muajit shtator kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të mbante një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al-Saud.

Asokohe Rama e cilësonte vizitën si tregues se “dëshira e miqve sauditë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë është e madhe”.

Kryeministri do të shprehej se, numri i turistëve sauditë në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme falë vendosjes së linjave direkte mes vendeve dhe nxitjes që vetë qeveria saudite i ka bërë kësaj marrëdhënie.

Nga ana tjetër, ministri saudit u shfaq besimplotë se Shqipëria dhe Arabia Saudite do të bashkëpunojnë në shumë fusha.

“Ka shumë gjëra që mund të bëjë Arabia Saudite në Shqipëri, dhe do të shikojmë sesi do t’i eksplorojmë këto mundësi në të ardhmen”, do të deklaronte ministri gjatë konferencës së përbashkët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore