Shqipëria

I uli pandemia bursat e ekselentëve në 2020-ën?


Vetëm 13 studentë shqiptarë kanë fituar bursa ekselence të studimeve në universitetet botërore për vitin akademik 2020-2021. Krahasuar me vitet e tjera, janë tetë studentë më pak që kanë përftuar. Është kjo një rastësi, apo pandemia ndikoi edhe tek ekselentët shqiptarë?

Nëse marrim statistikat e katër viteve të fundit, vihet re një numër i qëndrueshëm i studentëve që kanë përftuar bursa ekselence. I vetmi vit ku ka rënie, është viti 2020.

Kanë qenë 21 studentë të rinj përftues gjatë vitit 2017. Po i njëjti numër përftuesish të rinj, është ruajtuar në vitet 2018 dhe 2019. Në vitin 2020, kemi 14 përftues burse, nga të cilët një prej tyre është tërhequr pas përzgjedhjes.

Nëse i referohemi numrit total vjetor të ekselentëve që përftojnë, vihet re sërish i njëjti trend. Kanë qenë në tërësi 35 studentë përftues në 2017-ën. Në 2018-ën ka pasur 38 përftues. Në 2019-ën, 36 të tillë, ndërsa në 2020-ën numri ra në 29 përftues.

Përftuesit në tërësi, janë më të paktë për shkak të numrit më të ulët të përftuesve të rinj.

Ky vit në fakt, është i pari ku fondi i ekselencës nuk tejkalohet. Nga totali i minimales së 150 milionë lekëve që fondi alokon, këtë vit kanë tepruar rreth 16 milionë lekë.

Çfarë mund të ketë ndikuar në uljen e përftuesve?

Viti 2020, ka qenë një vit revolucioni përsa i përket studimeve akademike. Shumë universitete, e kaluan zhvillimin e kurrikulave online. Kjo gjë e bën të panevojshëm frekuentimin në person. Mbi të gjithë, universitetet me famë botërore, e kanë pasur tashmë të perfeksionuar sistemin për të zhvilluar leksionet tërësisht online.

Por kjo gjë, nuk e shpjegon plotësisht uljen e fituesve të bursave.

Nuk ka një pamje të qartë mbi numrin e aplikimeve të kryera pranë fondit të ekselencës në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Lista e fituesve është e dhëna e vetme që bëhet me dije.

Pra, nuk mund të dimë me siguri nëse aplikimet kanë qenë të larta dhe fituesit të pakët, apo ka pasur mungesë aplikimesh.

Ekuacioni pandemik ndryshoi rregullat e lojës?

Pandemia, fatkeqësisht, nuk ka ndikuar vetëm tek individët drejtpërdrejtë, por edhe tek bërja e politikave.

Le t’i hedhim një sy procedurave të aplikimit.

Për të përftuar nga fondi i ekselencës, së pari duhet të jesh i pranuar në një nga 15 universitetet botërore më të mira. Lista së përditësuar nga “Times Higher Education”, është ajo të cilës Ministria i referohet. Një opsion tjetër, është që universiteti ku studenti pranohet, të jetë në 15-shen më të mirë në botë për një fushë studimi të caktuar.

Pikërisht këtu futet në lojë ekuacioni që pandemia ndryshon.

Nëse më parë, universitetet botërore kanë qenë të etura për të pranuar studentë të huaj, sot, për shkak të pandemisë, nuk janë më.

Pranimet janë bërë më të vështira për shkak të gjendjes së pandemisë. Sistemi i seleksionimit është më i fortë. Rrjedhimisht, numri i studentëve shqiptarë që janë pranuar, mund të ketë qenë më i pakët.

Është me rëndësi të kuptohet, se po flasim për univesitete si Harvard, Oxford, Cambridge, CalTech etj..

Pamundësia për të udhëtuar nga vendet e origjinës drejt universiteteve, mund të jetë një tjetër arsye. Disa prej kampuseve universitare, janë mbyllur për shkak të pandemisë.

Pse është e rëndësishme të kuptojmë rënien e përftuesve të bursave?

Ky është viti i parë që Shqipëria ka rënie të alokimit të bursave të ekselencës. Minimalisht, do të na duhet të presim listën e përftuesve të 2021-shit, për të parë nëse trendi vazhdon në ulje.

Klauzola kontraktuale sipas VKM-së 160, datë 19.02.2020, parashikon në pikën 2, se studentët, për të përftuar bursën, duhet të pranojnë të rikthehen për të punuar së paku dy vite në sektorin publik në Shqipëri.

Në VKM-të e mëparshme, periudha e kthimit ka qenë tre vite. Thënë kjo, nëse ka më pak përftues të fondit të ekselencës, ka më pak profesionistë të shkolluar jashtë vendit që duhet të rikthehen detyrimisht.

Është me rëndësi të kuptohet edhe nëse kjo pikë e kontratës është ndikuese në uljen e përftuesve apo aplikantëve.

Kujtojmë se ka studentë, të cilët përftojnë edhe bursa të plota nga universitetet e huaja. Në këtë mënyrë, ata marrin përsipër vetë shpenzimet e tyre të qëndrimit duke punuar. Kështu, evitojnë kontratën me shtetin shqiptar.

Nëse ulja e përftuesve i takon vetëm pandemisë, atëherë në aplikimet e ardhshme do të shohim me shumë mundësi rritje të tyre.

Ndoshta, këtë herë, duhet shpresuar vërtetë se është pandemia, ajo që uli bursat e ekselencës në 2020-ën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore