Lajme

“I rrëzuar nga kontrabandistët”, rrëfehet Abazoviç për ‘Guardian’: Jam i divorcuar nga nacionalizmi


Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, deklaroi se ai po rrëzohet nga ndikimi politik i krimit të organizuar.

Kjo, pasi ai u përball me kontrabandistët e kokainës dhe cigareve.

Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja britanike “The Guardian”, duke cituar intervistën me zyrtarin e lartë malazez.

Sipas tij, arsyeja e vërtetë e humbjes së mocionit të mosbesimit ishte “ndarja me dekadat e kënaqjes së qeverisë malazeze ndaj bandave kriminale”.

“Mendoj se si politikanët e rinj që nuk kanë bagazhet e viteve ’90, unë jam i ndarë nga nacionalizmi. Unë dua të promovoj pajtimin në vendin tim, por edhe në rajon, në mënyrë që të mund të vazhdojmë përpara”, tha ai. “Unë jam optimist për vendin tonë”.

Kujtojmë që Abazoviç u mund me shumicë dërrmuese në një votë mosbesimi më 20 gusht.

Deri më tani, asnjë koalicion i ri qeverisës nuk është shfaqur dhe Abazoviç mbetet kryeministër i përkohshëm.

Në gusht të vitit 2021, përmes bashkëpunimit me Europol-in dhe agjencive perëndimore të inteligjencës, ai mbikëqyri sekuestrimin e 1.4 tonëve kokainë.

Kjo e fundit, ishte fshehur në një ngarkesë bananeje dhe ishte kapja më e madhe e regjistruar ndonjëherë në Ballkan.

Në maj, pasi ai u bë kryeministër, shërbimet malazeze të sigurimit kapën 148 mijë pako cigare kontrabandë.

Operacioni u përshkrua prej tij si “sasia më e madhe e tillë në historinë evropiane”.

Pas humbjes së votës së mosbesimit, Abazoviç i dorëzoi prokurorit të shtetit një dosje për industrinë e kontrabandës së cigareve.

Vesna Medenica, e cila ishte kryetare e gjykatës supreme të Malit të Zi për 17 vjet, u arrestua në muajin prill.

Zyrtarja u akuzua për fshehjen e operacioneve të dyshuara të kontrabandës së kokainës dhe cigareve të djalit të saj.

Abazoviç ka qenë kryeministër që nga prilli, por ishte zëvendës kryeministër më shumë se një vit më parë.

Kjo, pas zgjedhjeve të vitit 2020 të cilat ndërprenë hegjemoninë prej tre dekadash në pushtet të Partisë Social Demokrate, të udhëhequr nga presidenti, Milo Gjukanoviç.

Në përmbyllje gazeta me seli në Manchester vëren se Abazoviç u rrëzua për nënshkrimin e një marrëveshjeje me kishën ortodokse serbe.

Kjo, duke zgjidhur mosmarrëveshjet e gjata mbi pronën, një veprim që ishte thellësisht i papëlqyer në Mal të Zi, sepse kisha nuk e njeh plotësisht pavarësinë e vendit nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore