Shqipëria

I paefektshëm rimbursimi i ilaçeve ndaj Covid-19


Skema e rimbursimit të ilaçeve që luftojnë Covid-19, ofrohet nga pak farmaci, të cilat janë të lidhura me Institutin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Njerëzit e prekur nga Covid-19 në Tiranë ndërkohë, preferojnë të blejnë me shpenzimet e tyre ilaçet që luftojnë sëmundjen.

“Pacientët preferojnë t’i marrin pa recetë ilaçet”, deklarojnë disa farmacistë për Albanian Post. “Koha për t’u futur në skemën e rimbursimit, është shumë e gjatë”.

Një pjesë e madhe e farmacistëve, preferojnë të mos tregojnë si shiten medikamentet ndaj Covid-it. Subjektet e lidhura me ISKSH-në, nuk japin një pasqyrë të situatës.

Vetëm disa prej tyre pranojnë se skema nuk është shumë funksionale. Ilaçet e përfshira janë të mira, por pacientët nuk kanë shumë besim tek skema e rimbursimit.

“Paniku ndaj Covid-it vazhdon të jetë i madh. Kam klientë që marrin sasi të mëdha medikamentesh edhe pse nuk janë të infektuar. Ata që presin të marrin ilaçet nëpërmjet skemës, janë shumë të pakët”.

Sa shpenzohet për mjekimin ndaj Covid-19?

Mesatarisht, një mjekim i simptomave të lehta shkon deri në pesë mijë lekë. Deri në 15 mijë lekë, mund të shkohet për situata më të rënduara.

Ilaçet që janë të rimbursuara ndërkohë, janë më të lira. Pavarësisht kësaj, ato cilësohen si “të efektshme” nga farmacistët.

Mungesa e mjekimeve vihet re në disa farmaci. Këtu përfshihen dhe farmacitë që janë të lidhura me ISKSH-në.

Medikamentet më të shitura dhe të rekomanduara nga mjekët, janë holluesit e gjakut. Ndër to, Xarelto, një hollues gjaku shumë i efektshëm, çmimi i të cilit shkon në shtatë mijë lekë. Ky medikament gjithsesi, përfshihet në listën e rimbursimit.

Kush rimbursohet?

Ka disa kritere që duhen plotësuar për t’u përfshirë në skemën e rimbursimit. Fillimisht, tamponi për Covid duhet të dalë pozitiv. Nuk bëhet e qartë nëse tamponët e kryer në spitalet private, përfshihen pastaj në përfitimin e skemës.

Me daljen pozitive të testit, është mjeku i familjes ai që cakton mjekimin. Nëse mjeku vëren simptoma të lehta, rekomandohet paketa e parë. Ajo ka vlerën e 1 mijë e 650 lekëve. Në të përfshihen kryesisht  vitaminat.

Nëse mjeku vendos për skemën e dytë, pacienti përfton një recetë të rimbursuar në vlerën e 10 mijë e 900 lekëve. Këtu përfshihen edhe antibiotikët apo mjekimet e tjera për persona me sëmundje kronike. Shpenzimet gjithsesi, për ata që kanë simptoma më të rënda, janë më të larta se sa mbulon skema. Këtë e konfirmojnë vetë farmacistët.

Qytetarët gjithsesi, theksojnë se koha e pritjes është shumë e madhe. “Nuk mund të pres të përfshihem në skemë. Mjekimet duhen marrë sa më shpejt, jo të pritet për to”, thotë një qytetar për Albanian Post.

Skema e rimbursimit të ilaçeve për të luftuar Covid-19, filloi në nëntor në Shqipëri. Nuk është bërë me dije prej asaj kohe asnjë e dhënë mbi sa pacientë kanë përftuar.

Qytetarët ndërkohë, e kanë gjetur zgjidhjen në xhepat e tyre./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore