Shqipëria

I ndjeri Bujar Nishani shpallet “Kryetar Nderi i Këshillit Kombëtar të PD-së”


Partia Demokratike ka shpallur “Kryetar Nderi të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike” ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ky i fundit u përcoll për në banesën e fundit një ditë më parë, pas dy ditëve ceremoni mortore kushtuar në nder të tij.

Sakaq, Këshilli Kombëtar i PD-së në shenjë respekti mbajti një minutë heshtje në nder të Nishanit.

“Sot ju ftoj që në kujtim të tij, në respekt të zotit Nishani që ka qenë dhe kryetari i parë i Këshillit Kombëtar të PD, të mbajmë një minutë heshtje”, tha kreu i këtij Këshilli, Edi Paloka.

Homazhet në nder të tij u mbajtën në sallën “Skënderbeu” të Presidencës.

Zyrtarë të lartë, politikanë, personalitete kombëtarë dhe ndërkombëtarë morën pjesë në ceremoninë mortore në nder të tij.

2 qershori është shpallur “Ditë Zie Kombëtare”, në nder të ish-kreut të lartë të shtetit, Bujar Nishani.

Ky i fundit shërbeu si president i Republikës së Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.

Ai u shua në moshën 56-vjeçare, për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore