Lajme

I ndërpritet kontrata kompanisë “RAD”, e cila është në listën e sanksioneve amerikane


Veriu i Mitrovices

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ia ka ndërprerë kontratën për mirëmbajtje të rrugëve kompanisë së Radule Steviç, i cili është në listën e të sanksionuarve nga SHBA-ja.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i MPHI-së, Hysen Durmishi, përmes një postimi në llogainë e tij në Facebook.

“Nga sot kompania “RAD” D.O.O, e cila është futur në listën e zezë të thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: ” Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021-2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale”, shkruan Durmishi.

Tutje, ai shtoi se “Sot është nënshkruar amandamentimi i kontratës ku pjesë e konsorciumit mbeten kompanitë “B Corp” dhe “Europa Parters” të cilat së bashku i plotësojnë kriteret e dhënies. Edhe do ta bëjmë mirëmbajtjen e rrugëve në veri edhe kompaninë në fjale e kemi hequr nga kontrata”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviç.

Në listën e të sanksionuarve është edhe Radule Steviç.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit, përveç Veselinoviç janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviç, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Ky grup, sipas Departamentit të Thesarit i ka të regjistruara 11 biznese në Kosovë, 10 në Serbi, nga një në Kroaci dhe Bullgari.

Në pronësi të Radule Steviç janë dy kompani D. P. T. P. “Rad” si aktivitet primar ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, e themeluar në vitin 2013 në Zveçan. Ndërsa, biznesi “RAD” D. O. O. ka të njëjtin aktivitet dhe adresë si kompania e parë, por që është themeluar në vitin 2018.

Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radojçiç

Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviç, identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë..

Sipas SHBA-së, grupi i Vesellinoviçit është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në këtë njoftim, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Ky sanksionim është mirëpritur edhe Bashkimi Evropian.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se vendosja e sanksioneve ndaj disa serbëve nga Kosova, është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, kishte thënë Borrell.

Madje, Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ishte shprehur se ky vendim për të vendosur sanksione kundër individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion është në interes të të gjithë komuniteteve të Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore