Lajme

I kapluar nga dhimbja, vetvritet pas varrimit të bashkëshortes


Ndjente dashuri të pakufishme, të çmendur, për gruan me të cilën ndau 26 vite të jetës.

E donte marrëzisht, deri në frymën e fundit.

Vdekja e parakohshme e saj, e ndodhur pak ditë më parë, ka qenë barrë e madhe për të.

Në prag të varrimit, vendosi t’u jepte lamtumirën të gjithëve dhe të ndiqte dashurinë e tij në një fat të përbashkët.

Një histori e trishtë që u mbyll dje pasdite në Quinto di Treviso me vetëvrasjen e 54-vjeçarit Luca Simionato.

Fundin e gjeti në një kantier ndërtimi. Trupin e pajetë e gjetën punëtorët.

Alarmi u ngrit në orën 13:30, por mbërritja e mjekëve dhe infermierëve, si dhe karabinierëve shërbeu vetëm për të vërtetuar vdekjen e tij.

Drejtonte dyqanin “Shop74”, një aktivitet i njohur sepse lidhej me markën Harley Davidson.

Në rrethin e motoçiklistëve të Trevisos, Simionato ishte i njohur dhe i respektuar.

Po ashtu edhe gruaja e tij Giovanna Vanin, e cila i qëndroi pranë për të gjitha ato vite.

Ajo u nda nga jeta të premten e kaluar, nga një sëmundje e papritur që i dha shenjat më 15 maj, pasi ishte kthyer në shtëpi nga një udhëtim me motor në Marano Lagunare, në provincën Udine.

E shpëtuar menjëherë nga bashkëshorti i saj, 55-vjeçarja ndërroi jetë në spital, pas katër ditësh në koma, për shkak të arrestit kardiak të ndjekur nga edema cerebrale.

Për Simionaton, vdekja e gruas së tij, me të cilën kishte jetuar edhe në Kanada përpara se të kthehej në Itali, ishte një goditje e rëndë për t’u përballuar.

Çdo përpjekje për ngushëllim nga ana e miqve, prindërve dhe vëllezërve Claudio dhe Luigi ishte e kotë.

Ndoshta në mendjen e tij kishte marrë formë gjithë tabloja se si do të përfundonte kjo histori.

Dje pasdite, 24 orë pas funeralit të Giovanna-s, ai pati një bisedë të shkurtër me famullitarin e Quinto di Treviso.

Ndoshta ishte personi i fundit që foli me të, përpara se ai të shkonte në kantierin e ndërtimit, disa hapa larg shtëpisë, për t’i dhënë fund jetës.

“Dukej sikur kishte planifikuar gjithçka, para disa muajsh tha: kur të ikë ajo, edhe unë nuk do të jem më. Ata jetuan në simbiozë”, ka treguar një mik i tyre.

“Nuk ka fjalë, jemi të shokuar, të tronditur”, ka thënë kryebashkiaku i Quinto di Treviso, Stefania Sartori.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore